”Mickoski të tentojë të formojë shumicë parlamentare”

89

VMRO-DPMNE sonte ka mbajtur seancë të rregullt të Komitetit Ekzekutiv, të parën pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në këtë seancë ata kanë diskutuar rreth situatës aktuale socio-politike dhe zgjedhjet e 15 korrikut. Nga VMRO-DPMNE thonë se Komiteti Ekzekutiv e ka autorizuar Hristijan Mickoskit që të tentojë të formojë Qeverinë e re.

“Komiteti Ekzekutiv konkludoi se zgjedhjet u mbajtën në një atmosferë jodemokratike me një ryshfet masiv votash të kryer nga qeveria aktuale e LSDM-së. VMRO-DPMNE vë në dukje edhe mangësitë e shumta në ditën e zgjedhjeve, si dhe në ankesat në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve që ishin refuzuar, për të cilat do të ketë padi në Gjykatën Administrative”.

“Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE dha udhëzimin për të përgatitur një analizë të plotë të rezultateve të zgjedhjeve, të cilat do të diskutohen më vonë në organet e partisë. Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së autorizoi kryetarin Hristijan Mickoski që të vazhdojë bisedimet në përpjekje për të formuar një shumicë të re parlamentare”, thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.

Ndryshe, kjo parti në zgjedhjet e 15 korrikut mori 44 mandate, dy më pak se LSDM e cila fitoi 46.