“Monstra”, gjykatësi ka urdhëruar ekspertizë për 31 telefona, “bombat” do të nxirren në gusht

126

Gjykatësi i lëndës, Ognen Stavrev, sot njoftoi se e ka urdhëruar Ministrinë e Punëve të Brendshme, që të kryejë ekspertizë të 31 telefonave, të cilët janë konfiskuar gjatë arrestimeve të majit të vitit 2012-të, në lidhje me rastin “Monstra”, njofton Portalb.mk.

“MPB do të kryejë ekspertizë të re të 31 telefonave, por edhe disa të tjerëve që mendoj se janë të rëndësishëm. Telefonat janë të personave të akuzuar dhe të disa të tjerëve që kanë pasur kontakt. Asokohe MPB nuk ka pasur sistem të mirë për t’i kontrolluar, tani kanë sistem modern dhe do t’i kontrollojnë të gjitha hyrjet-daljet, porositë dhe gjithçka që mund të nxirret nga telefonët”, tha Stavrev.

Njëkohësisht, ai shtoi se me këtë mbaron dhe pjesa e parë e procesit gjyqësor, gjegjësisht nxjerrjen e dëshmive të vjetra, dhe tani fillon pjesa e re, gjegjësisht dëshmitë e reja, në mesin e të cilëve janë edhe “bombat”, apo bisedat e përgjuara, sms-porositë dhe transkriptuat që lideri i opozitës, Zoran Zaev, i ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale.

Për këtë, prokurorja e PSP-së, Fatime Fetai paralajmëroi se deri te Gjykata do t’i dorëzojë të gjitha materialet që kanë të bëjnë me vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë.

“Do t’i dorëzoj të gjitha materialet, që kanë të bëjnë me rastin në fjalë, madje edhe ato të parëndësishmet”, tha Fetai, duke paralajmëruar se bëhet fjalë për numër të madh të materialeve.

Jo-zyrtarisht, nga Prokuroria Speciale deklaruan se do të lejojnë që edhe opinioni të jetë prezent kur të prezantohen “bombat”.

Seanca e radhës, në të cilën do të nxirren “bombat”, do të mbahet më 22 gusht prej orës 10:00.