Nga mungesa e vaksinave, qytetarët e Maqedonisë po vaksinohen në Serbi !?

1

Pas njoftimit nga Ministria e Shëndetësisë se eventualisht vetëm një sasi e vogël e vaksinave kundrë Covid do të arrijnë në Maqedoni dhe atë muajin tjetër, një numër i madh i qytetarëve të Maqedonisë aplikojnë në mënyrë elektronike që të vaksinohen në Serbi, transmeton Zhurnal.

Edhe pse informatat e deritanishme janë se vetëm shtetasit e Serbisë mund të zgjedhin se me çfarë vaksine mund të vaksinohen, shtetasit e Maqedonisë gjithsesi mundohen në çfarëdo mënyre të arrijnë deri tek mbrojtja eventuale nga korona virusi. Informatat thonë se edhe shtetas të Maqedonisë janë vaksinuar në Serbi.

Në aplikacionin elektronik serb janë dhënë mundësitë që të zgjedhet me cilën vaksinë duan të vaksinohen: Pfizer, Moderna, Astrazeneca, Sputnik apo Sinofarm.

Portali serb “Blic” thotë se në Serbi deri tani janë vaksinuar 4000 shtetas të huaj dhe për to vaksinimi është falas.

Serbia ka tërhequr vëmendjen sepse është shteti i parë në Evropë për numrin e qytetarëve të vaksinuar, ndërsa i treti në botë. Sipas statistikave, para Serbisë me qytetarë të vaksinuar janë vetëm shtetet e Izraelit dhe Emiratet e Bashkuara Arabe