Një front qëndrese qytetare kundër diktaturës së mafias

8

Mark Marku

Edi Rama na ka sfiduar hapur. Në orët e para të mëngjesit, teksa ka shembur godinën e Teatrit Kombëtar duke përfituar nga errësira, nga karantina, nga gjumi ynë ka zbritur në mes të Tiranës me gjithë arrogancën e organizatës mafioze që përfaqëson dhe ka realizuar ëndrrën e tij, projektin e tij të shpallur ditë pas dite në këto shtatë vjet qeverisje: vendosjen e shtetit diktatorial të mafias.

MARKETING 420 x 60

I ka shembur të gjitha iluzionet e një gjysme demokracie, i ka shqyer të gjitha maskat e një pseudoshteti ligjor, i ka lënë mënjanë të gjithë skrupujt. Ka hequr edhe iluzionin e fundit të atij që thoshte se ndoshta në një moment mund t’i kthehej arsyeja, se mund të tërhiqej nga projektet mafioze, se do të shkundej nga deliri autoritar.

Tashmë ai nuk është më kryeministri i vendit, nuk është në kryetari I PS-së, nuk është më politikani, është thjeshtë gangsteri i zbritur në shesh që zgërdhihet përballë artistëve dhe aktivistëve të rezistencës heroike për mbrojtjen e teatrit, përballë kritikëve, qytetarëve të irrituar, opozitës, presidentit të Republikës, drejtësisë, ambasadave të huaja dhe thotë po unë mundem: unë e shemb teatrin dhe shtetin ligjor, unë e kthej në rrënoja demokracinë shqiptare, unë ju rrah, ju fus në burg, ju heq të drejtat, bëj c’të më dojë qejfi. Po ju a mundeni?

Cosa Nostra ka dalë në rrugë edhe pse Europa Nostra është e trishtuar. Këtu tashmë gjithçka është e qartë. Problemi është nëse do t’i përgjigjemi sfidës së tij apo do të nënshtrohemi. Në këtë kuptim ai i ka bërë të qarta rregullat e tij. Shoqëria, opozita, grupet e ndryshme duhet t’i ndryshojnë edhe ata rregullat e lojës. Duhet të përgjigjen me të njëjtën mënyrë. Gjithçka tjetër është nënshtrim.

Tani nuk ka më politikë. Tani duhet krijuar fronti i përbashkët i rezistencës qytetare. Me të gjithë ata që ndjehen të kërcënuar nga shtetit gangster. Fronti i qëndresës qytetare duhet zgjeruar me të gjithë ata që duan t’i përgjigjen sfidës së shtetit gangster, që e pranojnë sfidën e tij. Edi Rama na i ka sqaruar gjërat, për sot e për nesër, përgjithmonë. Ose rezistojmë ose nënshtrohemi. Sot është vonë, nesër do të jetë edhe më vonë, pasnesër… Unë për vete e pranoj sfidën!