Nxitja dhe lidhja e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së

7

Oliver Varhelyi

Beogradi, Podgorica, Prishtina, Sarajeva, Shkupi Tirana. Gjashtë kryeqytete të Ballkanit Perëndimor, në zemër të Evropës, por udhëtimi dhe tregtia mes tyre, si dhe me kryeqytetet e tjera të Evropës, zgjat dy herë më shumë sesa mes qyteteve shumë më larg. Megjithatë, të qenit i lidhur është thelbësor: për jetët e njerëzve, për bizneset dhe ekonomitë e rajonit, aq më tepër tani kur duhet të nxisim rimëkëmbjen pas pandemisë COVID-19.

Për më tepër, hendeku i zhvillimit ekonomik mes rajonit dhe BE-së duhet të mbyllet shpejt, çka do të përshpejtojë gjithashtu procesin e integrimit të vendeve në BE. Këto janë arsyet kryesore pse Komisioni Evropian vendosi këtë javë në tryezë një Plan Ekonomik dhe Investimesh në shkallë të gjerë për Ballkanin Perëndimor. Ky plan parashikon të mobilizojë deri në 9 miliardë euro financime për investime kryesore në fushat e transportit, energjisë, tranzicionit të gjelbër dhe digjital, për të krijuar rritje afatgjatë dhe vende pune.

Përveç kësaj, ai synon të nxisë kapacitetin investues të rajonit falë një mekanizmi të ri Garantimi për Ballkanin Perëndimor, me ambicien për t’i rritur investimet deri në 20 miliardë euro.

Ne kemi nevojë që Ballkani Perëndimor të lidhet më mirë, me rrugë apo me hekurudhë, ndërmjet kryeqyteteve apo me Bashkimin Evropian, ose përmes internetit me bandë të gjerë me shpejtësi shumë të lartë. Unë besoj fort se kjo do të ndihmojë për krijimin e ekonomive të qëndrueshme të tregut, duke stimuluar fuqimisht dhe drejtpërdrejt tregtinë dhe investimet.

Ne ofrojmë gjithashtu bashkëpunimin tonë për krijimin e një ekonomie të bazuar te dijet, duke ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sipërmarrjet e reja dhe industritë e kërkimit dhe zhvillimit. Këto ekonomi duhet të punojnë gjithashtu për njerëzit: duhet zgjidhur mospërputhja mes ofrimit të aftësive dhe nevojave të tregut të punës, dhe ikja e trurit duhet të shndërrohet në qarkullim të mendjeve, veçanërisht mes të rinjve.

Plani do të prezantojë gjithashtu një Agjendë të Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Tranzicionet e gjelbra dhe dixhitale janë përparësitë e BE-së për rimëkëmbjen e vet dhe ne duam ta mbështesim rajonin në përputhje me realitetet në terren, ndaj ai trajton problemin e ndotjes dhe, në të njëjtën kohë, krijon mundësi të qëndrueshme biznesi në të gjitha ekonomitë.

Do të ketë një fokus të fuqishëm te dekarbonizimi, energjia e pastër, mjedisi më i pastër dhe transformimi dixhital, duke përfshirë vendosjen e brezit të gjerë me shpejtësi të lartë. Në fazën e shpejtë të heqjes dorë nga qymyri, roli tranzitor i gazit është i një rëndësie shumë të madhe, krahas burimeve të rinovueshme. Heqja dorë nga qymyri mund t’i zvogëlojë shumë dhe shpejt rreziqet e tanishme për shëndetin publik.

Ne duam të sjellim gaz në Ballkanin Perëndimor për të krijuar shumëllojshmëri dhe për të ulur varësinë, ndërsa zgjidhjet afatgjata neutrale për klimën, si hidrogjeni, mund të zhvillohen mbi këtë bazë. Institucionet financiare ndërkombëtare janë të gatshme ta mbështesin planin tonë ambicioz. Kjo mbështetje do të jetë thelbësore për të maksimizuar potencialin e madh të rajonit, për të siguruar përfitime sa më të mëdha për qytetarët dhe ekonomitë.

Përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve, Komisioni synon gjithashtu të forcojë dimensionin rajonal të bashkëpunimit tonë. Integrimi ekonomik rajonal mes gjashtë partnerëve nuk është një shmangie në rrugën evropiane, por një mundësi e plotë ekonomike për të krijuar rritje, për të kapërcyer krizën ekonomike që lidhet me COVID-in, për të modernizuar ekonomitë në përputhje me përparësitë e BE-së, si dhe për t’i sjellë ato më pranë tregut të brendshëm të BE-së.

Plani Ekonomik dhe i Investimeve shkon paralelisht me reformat. Reformat, në veçanti në shtetin e së drejtës, mbeten në zemër të procesit të zgjerimit dhe janë gjithashtu të nevojshme për ta mbështetur këtë Plan, pasi ato rrisin besimin e biznesit dhe krijojnë një klimë më të mirë investimesh.

Së bashku me Planin, Komisioni miratoi edhe Paketën e Zgjerimit 2020, duke vlerësuar reformat thelbësore në vazhdim në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke paraqitur rekomandime e udhëzime për hapat e ardhshëm për partnerët tanë. Zbatimi i tyre dinamik jo vetëm që do të prodhojë rezultate afatgjata, por do të përshpejtojë edhe përparimin në rrugën drejt BE-së.

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Që nga dita e parë e mandatit të këtij Komisioni, një pikë ka qenë shumë e qartë: rajoni është një përparësi kyçe për ne. Ne po punojmë pa u lodhur për ta afruar rajonin më shumë dhe më shpejt me BE-në, duke ndjekur tre objektiva: rigjallërimin e procesit të zgjerimit, hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe përshpejtimin e konvergjencës ekonomike me BE-në.

Për dy objektivat e para janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm përpara, me një metodologji të rishikuar të zgjerimit dhe vendimin e shteteve anëtare për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për çka krijoi terrenin propozimi për metodologjinë e rishikuar. Kjo ka treguar se BE qëndron krah partnerëve të saj dhe i përmbush premtimet e veta.

Ne qëndruam krah rajonit edhe gjatë pandemisë COVID-19, duke siguruar një mbështetje thelbësore dhe të pashembullt, përfshirë ndihmë mjekësore të ngutshme dhe një paketë financiare prej 3.3 miliardë eurosh për të trajtuar pasojat e drejtpërdrejta të pandemisë. Plani i ri është shtylla e tretë e qasjes sime.

Ai jo vetëm që do të mbështesë rimëkëmbjen afatgjatë socio-ekonomike të rajonit dhe konvergjencën me BE-në, por do të rrisë edhe bashkëpunimin dhe tregtinë ndër-rajonale, si dhe do të çlirojë potencialin ekonomik të pashfrytëzuar të rajonit. Më e rëndësishmja, do ta konsolidojë rajonin si një qendër investimesh për kompanitë evropiane dhe do ta vendosë në hartën e investitorëve që kërkojnë të zvogëlojnë distancën me tregjet e BE-së dhe të diversifikojnë furnizimin.

Unë do të udhëtoj në Ballkanin Perëndimor këtë javë për t’u prezantuar personalisht dhe drejtpërdrejt partnerëve tanë Planin e ri Ekonomik dhe të Investimeve, si dhe vlerësimet vjetore. Shpresoj të marr mbështetje për zbatimin e Planit, si dhe një angazhim të qartë për reformat dhe bashkëpunimin. Ne do ta bëjmë këtë së bashku, me synimin për të krijuar tashmë një peizazh të ri ekonomik dhe social në pesë vitet e ardhshme.