Pasholli: Vetëm biznesi do të na nxjerrë nga balta!

35

Biznesit duhet ti lehtësohet dhe thjeshtësohet në maksimum puna e tij përditshme dhe jo të ketë pengesa edhe garën prej 100 metrash, e të mos flasim në një maratonë të gjatë prej 42 kilometra, ku do të duhej të kishte në mos hiç, atëherë shumë pak pengesa të ndryshme që nuk e lënë të realizojë ëndrrat dhe synimet e tij të biznesit

Nga Fisnik PASHOLLI

Aktualisht të gjithë janë të brengosur se si do të kapërcejnë këtë periudhë të vështirë të luftës kundër koronavirusit. Prioritet i parë si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në çdo shtet tjetër, është dhe mbetet shëndetësia , apo përkrahja maksimale për sistemin shëndetësor që është në vijën e parë të frontit, mirëpo edhe jetesa e përditshme e kërkon të vetën.

Masat shtrënguese për lëvizje ndonëse nuk i dëshiron askush, na bezdisin dhe na nervozojnë të gjithëve me radhë, nga më të vegjlit e deri tek më të moshuarit, si ato që shkojnë dhe kthehen në punë për çdo ditë , ato që kanë mundësi të punojnë nga shtëpia, që kanë humbur punën,që janë të papunë, që kanë humbur mundësinë që të shkojnë në kurbet për disa muaj dhe presin muajin qershor që të përpiqen të gjejnë një vend pune në shtetet perëndimore për disa muaj për të ushqyer familjen,etj.

Mirëpo tani është ndoshta koha e fundit që të mendohet që më në fund edhe të fillojnë të realizohen reformat që me dekada po anulohen në shtet. Reformat që në pamje të parë , të duken aq abstrakte, aq të padukshme, të pakapshme, të paimagjinueshme, sikur po ndodhin tjetërkund e në mjedisin tonë po ndodhin por ngadalë, po ecin avash avash, dhe akoma flasin në diskursin tonë shoqëror për reforma që nënkuptojnë jetë.

Thjesht, reformat duhet të sjellin një jetesë më të mirë për qytetarin që të mos endet sportel në sportel për të nxjerrë dokumentet e nevojshme, ato duhet ti mundësojnë një sipërmarrësi dhe afaristi të mendojë të punësojë më shumë punëtorë,të nxjerrë prodhime dhe shërbime të reja që mungojnë në treg, të orientohet në eksport, të nxjerrë fitim dhe në fund edhe të paguajë tatim në arkën e shtetit, mirëpo me kusht që ti lehtësohet dhe thjeshtësohet në maksimum puna e tij përditshme dhe jo të ketë pengesa edhe garën prej 100 metrash, e të mos flasim në një maratonë të gjatë prej 42 kilometra, ku do të duhej të kishte në mos hiç, atëherë shumë pak pengesa të ndryshme që nuk e lënë të realizojë ëndrrat dhe synimet e tij të biznesit.

Ndoshta është koha që më në fund edhe të fillojë të racionalizohet puna e administratës, por jo duke nxjerrë njerëz nga puna por duke gjetur mënyra që të gjithë nesër të mund të fitojnë një pagë. Apo ka ardhur koha më shumë të mendojmë si të ndihmojmë biznesin që nesër të nxjerrë ngadalë ekonominë vendore nga kriza ekonomike dhe financiare. Do të ishte mirë që në nivel të çerdheve të dijes dhe arsimit si fakultetet, universitetet, institutet, nga odat ekonomike , shoqatat e ndryshme apo edhe nga mendimtarë të tjerë , të ofrohen dhe pse jo edhe të stimulohen financiarisht, nesër përmes një konkursi publik për tre zgjidhjet më të mira nga ana e Fondit të Inovacionit. (koha.mk)