PD i përgjigjet Ramës: Mjaft e keqpërdore Kosovën

13

Partia Demokratike në Shqipëri i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama pasi ky i fundit ka bërë disa akuza ndaj kryetarit Lulzim Basha për rolin e tij në akuzat ndaj ish-drejtuesve të UÇK dhe hetimet për krimet e luftës.

Nënkryetari i PD, Edi Paloka, ka publikuar një video, ku thotë se përmes saj hidhen poshtë të gjitha akuzat e Edi Ramës.

Deklaratë e Partisë Demokratike, nënkryetari Edi Paloka

Paloka thotë se Basha nuk ka qenë kurrë pjesë e asnjë hetimi të EULEX.

Për Edi Ramën dhe të gjithë mercenarët e ti, më poshtë janë me zë dhe me figurë të gjitha përgjigjet që ti u fshihesh dhe nuk do t’i dëgjosh:

Që ti dhe Ministria e Jashtme Ruse jeni të vetmit që flisni akoma për Shtëpinë e Verdhë.

Që kasetën, dëshmitari yt ia kishte dhënë BBC në prani të Dash Pezës dhe jo Lulzim Bashës.

Që përkthyesi në Shtëpinë e Verdhë ishte Artan Grubi dhe jo Lulzim Basha.

Që Lulzim Basha, siç deklaroi dhe prokurori i EULEX-it nuk kishte qenë KURRË pjesë e asnjë hetimi ndaj UÇK-së.

Që, siç pohoi edhe miku yt Baton Haxhiu në Opinion, pretendimi se Lulzim Basha ka qenë i pranishëm në arrestimet e komandantëve të UÇK-së është gënjeshtër.

E gjithë skema jote e mashtrimit që ke ngritur deri më sot kundër Lulzim Bashës, u rrëzua.

Shiko në çfarë bataku e zhyte veten, vetëm e vetëm për të larguar vëmendjen e njerëzve nga  skandalet dhe vjedhjet e muajve të fundit dhe dështimit në përballjen me krizën e COVID-19.

Mjaft e keqpërdore Kosovën! Sot ia ke borxh Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit gjithë ç’ke sajuar. Ditën që ata përballeshin me akuzat e Vuçiçit, në Hagë ti firmose me të marrëveshje.

Ia ke borxh Kosovës dhe shqiptarëve përgjigjen, pse vetëm ti dhe Ministria e Jashtme e Federatës Ruse flisni akoma për Shtëpinë e Verdhë. Edi Rama, mjaft e dëmtove Kosovën, mjaft e bëre pis luftën e UÇK-së për të fshehur dështimet e tua.

Po vjen dita të japësh llogari për të gjitha dështimet dhe zullumet e tua në kurriz të shqiptarëve!