Pendarovski: Është i domosdoshëm pajtimi dhe tejkalimi i ndarjeve etnike dhe partiake

13

Kryetari Stevo Pendarovski në fjalimin e tij të parë në Kuvend tha se “para meje, por edhe para gjithë nesh, është një punë e madhe, për shkak se ndarjet mes qytetarëve janë ende të thella. Nëse më herët dhe sot, kjo shkonte dhe po shkon nëpër linjën e përkatësisë etnike, në dekadën e fundit ndarjet mes maqedonasve janë thelluar në mënyrë dramatike”.

Pendarovski në Kuvend propozoi modele për arritjen e konsensusit të gjerë shtetëror.

“Pajtimi qytetar në të cilën fola në inagurimin tim nuk do të ndodhë vetvetiu, nëse dikush nuk ofron platforma konkrete për dialog mes palëve”, tha Pendarovski.

Takimi i liderëve të partive politike, siç theksoi Pendarovski, që u mbajt menjëherë pas Samitit të fundit evropian tregoi se kemi potencial të mjaftueshëm që në momente të vështira të jemi të unifikuar.

“Deri në fund të këtij viti, për herë të parë në kabinetin e një kryetari, do të organizojmë një seri takimesh me tifogrupet ku janë aktiv të rinjtë e përkatësive të ndryshme etnike. Në këto takime, me ftesë time, do të jenë të pranishëm edhe disa pjesëmarrës dhe dëshmitarë të konfliktit të vitit 2001 të të dyja palëve. Qëllimi im është që këtyre të rinjve përmes shembujve t’u tregojmë në njërën anë çmimin e dhunës ndërsa në anën tjetër, vlefshmërinë e dialogut dhe debateve për çështjet më të rëndësishme”, tha Pendaroski në Kuvendi.

Sipas tij, ndarjet e vjetra në linjë partiake dhe etnike ende nuk i kemi tejkaluar dhe tani po i shohim ndarjet e reja në bazë fetare, personave me aftësi të kufizuara, orientim seksual.

“Përderisa ne ndahemi dhe i diskriminojmë të tjerët që janë ndryshe prej nesh, nuk mund të flasim për zhvillim dhe të definohemi si shoqëri progresive. Asnjë ndryshim pozitiv nuk ka ndodhur për shkak se mjedisi apo publiku kanë qenë të përgatitur, por për shkak se dikush në mënyrë aktive ka punuar që këto ndryshime të ndodhin. Kundër paragjykimeve dhe sterotipeve duhet të luftojmë të gjithë”, tha mes tjerash Pendarovski.