Përvjetori i tretë i vdekjes së Almir Aliut

72

Tre vjetori i vdekjes së Almir Aliut palët e përfshira në tragjedi i gjen të pakënaqura me vendimin gjyqësor. Derisa familja Aliu ankohet për drejtësi të njëanshme dhe dënim të ulët për vrasësin Boban Iliq, avokati i këtij të fundit pretendon se klienti i tij veprën e ka kryer në rrethana të nevojës ekstreme. Më 21 qershor përfundoi procesi gjyqësor për rastin e Almir Aliut i kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit. Vendimi i Gjykatës Themelore të Kumanovës nuk ndryshoi aspak nga ai të cilin e hodhi poshtë organi i shkallës së dytë. Familja Aliu këtë e cilësoi si vrasje të dytë, ndërsa Boban Iliq po vuan dënimin në arrest shtëpiak pasi që ndaj t’i nuk janë shqiptuar masa kujdesi përpos obligimit me paraqitje në Gjykatë. Vendimi i parë u hodh poshtë nga Apeli pas parregullsive të shumta gjatë procesit gjyqësor, ku si fillim nuk u pranuan dëshmitarët okular, më pas vepra u rikulifikua nga “vrasje” në “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion” dhe krejt në fund rezultoi që ekspertizat të cilat kanë ndikuar në rikualifikimin e veprës, si ajo neuropsikiatrike dhe teknike janë bërë nga ekspert pa licenca. Të gjitha këto zhvillime kishin nxitur protesta dhe reagime, ndërsa gjykatëses Maja Denkoska nuk iu tremb syri në marrjen e vendimit. Grupi parlamentar i BDI-së në Kuvend kishte iniciuar Komision Anketues i cili deri tani nuk ka mbajtur asnjë mbledhje. Kryeprokurori Lubomir Joveski disa herë ishte pyetur nga gazetarët dhe deputetët për rikualifikimin e veprës, por i pari i organit të akuzës ishte mbrojtur me idenë se në rast se nuk rikualifikohej vepra, Gjykata do të duhej të merrte vendim për lirimin e Boban Iliqit pa dhënë arsye shtesë për një version të tillë. Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në Kumanovë si pasojë e një zënke paraprake mes babait të Almirit, Sedat Aliu dhe Boban Iliqit. Almiri 4 vjeçar nuk i mbijetoi plagëve, ndërsa akuza ndaj Boban Iliqit u ngrit gjashtë muaj pas vrasjes së Almirit. Vëllai i Boban Iliqit nuk është përfshirë në asnjë akuzë, ndërsa Prokuroria Themelore akuzën e së cilës e përfaqëson Suzana Kusigerska nuk kishte propozuar si provë as makinën me të cilën ishte shtypur Almiri. Pak javë pas vrasjes makina ishte riparuar dhe vendosur në treg për shitje./am/