Pse Rama nuk është i majtë

13
Ariela Zeneli

Prej disa muajsh naftëtarët e Ballshit janë në protesta të vazhdueshme ku kërkojnë mbi 20 paga të prapambetura. Deri në ditën e 18-të të grevës së urisë, së cilës iu bashkuan edhe gratë naftëtare, kryeministri Rama dhe qeveria nuk kishin dhënë asnjë përgjigje. Por mbrëmjen e djeshme Rama e theu heshtjen në emisionin Opinion, ku betohej se ishte lutur shumë për ta dhe se ata nuk kanë nevojë për sindikata, sepse ai vetë është mbrojtësi i tyre më i madh.

“Ne kemi zgjedhur një sistem të marrëdhënieve kapitaliste, nuk kemi zgjedhur sistemin komunist.” – tha Rama që të shfajësohej për mungesën e shtetit në vjedhjen që u është bërë naftëtarëve, qytetit të Ballshit dhe gjithë Shqipërisë.

Që prej ardhjes në pushtet Edi Rama ka luajtur në mënyrë pragmatiste për sa i përket linjës ideologjike që ai dhe partia e tij përpiqen të përcjellin në popull. Sa herë ka festa përkujtimore të Luftës Antifashiste Nacional- Çlirimtare, Gramoz Ruci, Taulant Balla dhe Erion Veliaj vrapojnë nga Përmeti në Pezë për të mbajtur gjallë nostalgjikët e Partisë Socialiste. Kurse vetë Rama hera-herës shfaqet si antikomunist e rebel, që akuzon Berishën për komunist, nderon me ceremoni shtetërore Mit’hat Frashërin dhe përpiqet të rehabilitojë Ballin Kombëtar. Këtë e bën me qëllimin që të kapë edhe nga votat tradicionale të Partisë Demokratike.

Por deri më sot, me politikat e tij Rama ka treguar se është edhe më i djathtë se Berisha. Politikat neoliberale dhe vazhdimi i privatizimeve të egra po e çojnë atë edhe më djathtas. Djathtas – drejt një kapitalizmi grabitqar dhe pa rregulla, ku shteti nuk ka më një rol balancues dhe i forti e shtyp më të dobëtin.

Kur ishte në opozitë dhe hiqej si i majtë, Rama luante rolin e një sovranisti kokëfortë që nuk u bindej ambasadave. Po sapo erdhi në pushtet, ai vendosi të sjellë armët kimike në Shqipëri, duke u kthyer në  një vasal te bindur e të butë që do të ruajë pushtetin.

Kur ishte në opozitë dhe hiqej si i majtë, Rama ishte kundër privatizimit të universitetit dhe kthimit të dijes në mall tregu. Por sapo erdhi në pushtet, ai nxori nga sirtari ku e kishte lënë Berisha ligjin klientelist të arsimit të lartë, ku studentët nuk do të pranoheshin në bazë të dijes dhe meritës, por thellësisë së xhepave që do të mund të përballonin tarifat e larta.

Kur ishte në opozitë dhe hiqej si i majtë, Rama u zotua që do t’ia kthente popullit të drejtën mbi pasuritë nëntokësor, që nga nxjerrja dhe përpunimi i naftës të mos përfitonte më një grusht i vogël kusarësh. Por sapo erdhi në pushtet, ai ndryshoi kusarët e Saliut me shokët e tij, duke e thelluar edhe më shumë dëmin e privatizimit të uzinës më 2008.

Kur ishte në opozitë dhe hiqej si i majtë, Rama betohej e stërbetohej se do të bënte namin për të drejtat e minatorëve, por sapo erdhi në pushtet ai e thelloi procesin grabitqar në minierën më të madhe, duke ia dhënë oligarkut Samir Mane. Prej krenarisë për mungesën e sindikatave dhe përpjekjeve për t’i shtypur sindikatat e reja, që nga ardhja e tij në pushtet kanë humbur jetën 43 minatorë dhe janë hequr nga puna në mënyrë të padrejtë 4 sindikalistë.

Kur ishte në opozitë dhe hiqej si i majtë, Rama premtoi shëndetësi falas për të gjithë, por sapo erdhi në pushtet ai privatizoi dhe dha me koncesion shërbimet spitalore të cilat u kushtuan qytetarëve qindra miliona euro taksave.

Kur ishte në opozitë dhe hiqej si i majtë, Rama kritikonte marrëveshjen privatizuese të CEZ, por sapo erdhi në pushtet, ai i fali kompanisë çeke 95 milionë euro dhe i mbushi  burgjet me të varfër që nuk kishin para të paguanin energjinë.

Me ardhjen në pushtet, Rama në vend që të kujdesej për të varfrit dhe të pambrojturit, është bërë ortak me të pasurit dhe të fuqishmit. Në vend të taksimit të të pasurve që përfitojnë më shumë nga shoqëria, ai vendosi të ulë taksimin me justifikimin se ata krijojnë vende pune. Në vend të politikave sociale që ulin pabarazinë, ai po shtyn përpara politika që e thellojnë edhe më shumë atë.

Prandaj sot na lind detyra për një alternativë të re të majtë, e cila është solidare, demokratike dhe përkrah punëtorëve, studentëve, mjedisit dhe komuniteteve të nëpërkëmbura, sepse ndryshe nuk do të ketë më shpresë dhe e vetmja zgjidhje do të vazhdojë të jetë emigrimi.

mazhi:  EPA-EFE/Sergei Ilnitsky

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.