Qytetarët vazhdojnë të ankohen për kushtet në Kodrën e Diellit

14

Ndonëse jemi në muajin janar në Kodrën e diellit ende nuk ka borë. Mirëpo kjo nuk pengon që qytetarët të vijnë këtu, sidomos në ditë festash. Ata nuk ankohen për borën por për kushtet e tjera të cilat thonë se mungojnë në këtë pikë turistike. Gjashtë vjet u premtua një skilift me gjashtë ulëse, nuk ka parkingje, as ndriçim sa duhet gjatë natës.

“Problemet e qytetarëve që vijnë për ta vizituar Kodrën e Diellit fillojnë që 3km para se të arrijnë atje. Kjo pasi që mungon parking dhe krijohen kolona të gjata të makinave”, Almedina Ismajli, gazetare.

MARKETING 420 x 60

“Si çdo vit tjetër kushtet nuk janë të mira, risi këtë vit është gjashtëulsja që është instaluar por ende nuk është në funksion. Është problem puna e parkimit, por jemi mësuar me këtë problem”, theksoi një instruktor skijimi.

Mes qytetarëve takuam edhe ministrin e Kulturës, Hysni Ismaili, i cili kishte ardhur për rekreacion, ai shpreson se kushtet në Shapkë do të rregullohen.

“Ka deri diku, po plotësisht nuk janë kushtet e mira, shpresoj se në të ardhmen do të kemi kushte të mirëfillta”, u shpreh Hysni Ismaili, ministër i Kulturës.

Sipas të punësuarve, ka mungesë turistësh këtë vit, e kjo sipas tyre për shkak të skilifteve.

Edhe nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” ka ankesa të shumta. Ata thonë se edhe natyra po i dënon me mungesë të borës.

“Shifet një dëshpërim atje lartë, nuk ka turistë të mjaftueshëm, qendra e shijimit ende nuk funksionon sepse edhe Zoti ka heqë dorë nga ne nuk kemi edhe borë natyrale, përveç kësaj 500 mijë euro për borën artificiale që u harxhuan nuk e kemi as atë. Duhet të adresojmë dhe kontrollojmë se ku u harxhuan ato fonde. Që 6 vite po ndërtohet skilifti në Kodrën e Diellit dhe ende është i papërfunduar”, tha Hamdi Sulejmani nga iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit.

Edhe pse ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi disa herë u lavdërua për lëshimin në përdorim dhe rregullimin e gjashtëulëses, ajo ende nuk është në funksion. Tani nga Ministria e Ekonomisë na thonë se për këtë çështje duhet të pyesim ELEM-Tursin. Ndërkaq nga Elem – Turs nuk na kthyen përgjigje, se përse nuk është në funksion gjashtëulësja.

Me kalimin e viteve problemet në Kodrën e Diellit janë grumbulluar njëri pas tjetrit, ndërsa deri më tani nuk është gjetur asnjë zgjidhje afatgjatë, përveç rrugës që u asfaltua vitin e kaluar që të çon në Kodrën e Diellit.

Ndryshe “ELEM-Turs” menaxhon me disa kapacitete turistike, mes tyre edhe me Kodrën e Diellit si filiali më i madh që ka nën kompetenca./Tv21/

Loading...