Qyteti i Butrintit atraksion për vizitorët (VIDEO)

55

Në Butrint sapo ka nisur të rritet fluksi i vizitorëve të verës. Këtë vit sezoni nisi disi me vonesë për të gjithë në jug por tashmë vizitorë nga e gjithë bota preferojnë të shpenzojnë orë të tëra brenda parkut të mbrojtur nga UNESCO.

Adami një i ri nga Lituania thotë se ka vizituar shumicën e vendeve të Evropës por i ka pëlqyer veçanërisht Butrinti dhe Shqipëria.

“Unë kam qenë në të gjithë Europën dhe tani e kemi përshkuar Shqipërinë nga Veriu në Jug. Sigurisht që ka gjithnjë vend për të përmirësuar disa gjëra por ndjesia ishte shumë e mirë.”, thotë ai.

Marku nga Zvicra gjendet në Butrint me familjen dhe një grup miqsh gjatë vizitës së parë në Shqipëri dhe thotë se vendi i tejkaloi të gjitha pritshmëritë.

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë pas 10 vjetësh por uroj të mos bëhet si Barcelona e Lisbona apo Dubrovniku. Tani është perfekt. Unë vij nga Zvicra dhe ajo që dimë në për Shqipërinë në Zvicër është e pa përditësuar. Këtu komunizmi ka rënë prej kohësh dhe realiteti është shumë më i ndryshëm se informacioni që njerëzit kanë për vendin. Ka vende për tu vizituar, ka shërbime, është njësoj si të shkosh në Portugali apo Spanjë.”, thotë Marku.

Dorina Dhima që punon si specialiste për turizmin prej vitesh në park thotë se pritshmëritë këtë vit janë për një sezon që mund ta çojë numrin e vizitorëve në gati 230 mijë vetë.

Butrinti ofron magjinë e rrënojave të disa periudhave, teatrin, baptisterin, mozaikët, tempujt por edhe vegjetacionin e pasur. Qyteti i dafinave me liqenin krah tij është njëkohësisht habitati i Rana Epirotica një specie e rrallë bretkoce që jeton vetëm në Butrint.