Qyteti Shkupit anashkalon projektet shqiptare. Ramadani: Nuk u përfillën projektet shqiptare(VIDEO)

63

Prej 35 projekteve të propozuara nga opozita shqiptare në Qytetin e Shkupit, vetëm njëri do të realizohet sipas buxhetit të planifikuar të vitit 2020. Këshilltarët e Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët thonë se në Këshillin e Shkupit, nuk janë përfillur projektet që sipas tyre, janë në interes të shqiptarëve. Rethrrotullimi në Komunën e Sarajit, pishina e Sarajit, korsitë nëpër Komunën e Çairit, parkingjet në kate në këtë komunë, mbikalimi që duhej të lidhte Çairin me Shuto Orizarën dhe për disa projekte tjera, ata thonë se nuk kanë qenë prioritet për t’u miratuar nga Këshilli i Qytetit.

“Mirëpo kjo praktikë te kryetari i ri nuk po funksionon, kjo ishte vërejtja e parë. Madje ne si opozitë u munduam që nëpërmjet mekanizmit të vetëm, duke propozuar amendamente të mbuloj edhe komunat shqiptare me projekte që dalin nga kërkesat e qytetarëve të Shkupit, por një gjë e tillë nuk u përfill. Propozimi i vetëm nga opozita shqiptare që kaloi ishte vendosja e semaforëve në Bulevardin ‘Kristijan Todorovski Karposh’- deklaroi Sedat Ramadani, Këshilltar i Lëvizjes BESA.