Reshjet e rrëmbyeshme, Poroji edhe më tej rrezikon përmbytjen

12

Qeveria dhe komuna e Tetovës nuk kanë mbajtur premtimin për zgjidhjen e problemit me vërshimet që paraqiten përgjatë rrjedhës së lumit në fshatin Poroj. Nga komuna e Tetovës thonë se kostoja e lartë e bënë të pamundur realizimin e projektit për ndërtimin e digave mbrojtëse përgjatë rrjedhës së lumit. Mjetet e vetme që janë ndarë janë ato për studimin e fisibilitetit.

Në këtë drejtim komuna ka marrë masa dhe po bën studimet e fisibilitetit për atë bashkë me organet tjera kompetente të Maqedonisë së Veriut. Dihen mundësitë e komunës cilat janë dhe në këtë drejtim, komuna e Tetovës, nuk ka mjete të mjaftueshme që t`i ndërtojë vet ato, andaj, ne si komunë kemi ndarë një pjesë për financimin e këtyre projekteve por edhe një herë kërkojmë nga organet e Qeverisë që të na ndihmojnë në këtë drejtim- deklaroi Bekim Memeti. Kryetar i këshillit komunal

Për realizimin e projektit për ndërtim të digave të lumit të fshatit, u zotua edhe vet ish kryeministri Zaev tre vjet më parë, por përkundër këtyre premtimeve, në terren ende nuk ka asgjë konkrete. Disa muaj pas vërshimeve, Zaev në një prononcim për mediat, vonesat i arsyetoi me volumin e dokumentacionit që duhet të përgatitet.

Banorët e fshatit Poroj, ndjehen të zhgënjyer nga mos përmbushja e premtimet të institucioneve shtetërore dhe lokale. Ata kanë frikë nga paraqitja e vërshimeve të cilat, shpesh dinë të shkaktojnë dëme të mëdha në këtë fshat duke rrezikuar madje edhe jetë njerëzish.

Projekti i vetëm që po realizohet në këtë zonë është një studim i UNDP-së, që pritet të përfundoj vitin e ardhshëm. Studimi i titulluar “Përmirësimi i qëndrueshmërisë ndaj përmbytjeve në rajonin e Pollogut”, në vlerë prej 10 milion franga financohet nga qeveria zvicerane ndërsa pritet të realizohet në partneritet me Ministrinë për ambient jetësor, Qendrën për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut dhe nëntë komunat e rajonit të Pollogut. Projekti synon edhe harmonizimin e rregullativës ligjore me atë të Bashkimit Evropian në sferën e ujërave dhe mbrojtje nga vërshimet. /Alsat M/