Përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, ka marrë pjesë në shënimin e 21-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizim ky ku kanë marrë pjesë edhe kryeministri Haradinaj e presidenti Thaçi.
Për Rifat Jasharin është shumë e rëndësishme që Epopeja e UÇK-së për herë të parë po organizohet kur Kosova tashmë ka ushtrinë e saj.
Në fjalën e tij ai, gjithashtu, ka thënë se ushtria e Republikës së Kosovës, do të kujdeset për ta ruajtur territorin e vendit, ashtu siç e kishte mbrojtur UÇK-ja.
“Ushtrisë së Kosovës i dëshiroj shëndet dhe lumturi që gjithmonë të jenë të gatshëm të mbrojnë territorin e Kosovës ashtu siç e mbrojtën edhe ushtarët e UÇK-së”, ka thënë Rifat Jashari në fjalën e tij.
Kryeministri Haradinaj ndërkohë në fjalën e tij ka kujtuar sakrificën e madhe të familjes Jashari.
Sa i përket ushtrisë së Kosovës, kreu i Qeverisë ka thënë se ajo nuk do të përdoret për të sulmuar qytetarët as në jug e as në veri të vendit.