Rikthehet i nxehti afrikan, institucionet apelojnë për kujdes

88

Maqedonia përfshihet nga i nxehti tropikal. Mëngjesin e sotëm autoritetet kanë shpallur fazën e verdhë, ndërsa njoftojnë se nga dita e enjte deri në mesin e javës së ardhshme disa rajone pritet të përfshihen nga faza protokolli pasi temperaturat do të mbërrijnë në mbi 40 gradë. Nga Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim apelojnë qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mos bëhen shkaktarë të përhapjes së zjarreve. Ata thonë se këtë periudhë nuk kanë pasur përhapje zjarresh pasi nëpër zonat malore ka pasur lagështi si pasojë e reshjeve të shpeshta të shiut.

Vozitësit gjatë vozitjes nëpër vendet ku terreni është malor, nuk duhet t’i hedhin bishtat e cigareve të cilat realisht mund të shkaktojnë zjarre, posaçërisht gjatë vikendeve kur njerëzit dalin për të pushuar nëpër pikniqe atëherë i përdorin edhe zgarat kështu që edhe fëmijët e tyre me lojëra duke luajtur me zjarrin duhet të kenë kujdes edhe gjatë mbarimit të piknikut ata duhet që çdo gjë ta lënë sikur e kanë gjetur posaçërisht nëse kanë përdorur skarën- deklaroi Ekrem Zendeli, Zv/Drejtor në Drjetorinë për mbrojtje dhe shpëtim.

Shërbimet e ndihmës së shpejtë njoftojnë se gjatë 24 orëve të fundit ka pasur rritje të numrit të pacientëve të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Kryesisht janë kolapse, të sëmurëve kronik në moshë iu përkeqësohet shëndeti. Ndonjëherë është rënie e sheqerit ndonjëherë e shtypjes. Gjatë 24 orëve të kaluara kemi rreth 100 thirrje, nga mbrëmja e djeshme e deri mëngjesin e sotëm kemi mbi 10 raste që pikërisht për shkak të të nxehtit kanë kërkuar ndihmë. Qytetarët të mos dalin pas orës 10, t’i kryejnë punët më herët në mëngjes, të konsumojnë më shumë lëngje, të mbajnë veshmbathje me ngjyra të hapura, të konsumojnë ushqime të lehta dhe të marrin terapinë rregullisht- këshilloi Marina Satirovska, Mjeke në Ndihmën e Shpejtë.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë përmes një kumtese iu ka bërë thirrje punëdhënësve që gjatë periudhës kur vendin e përfshinë temperatura të larta, të respektojnë Ligjin për siguri dhe shëndet gjatë punës, që punëtorët mos të qëndrojnë jashtë gjatë orëve kritike për të kryer punime të çfarëdolloj natyre, me theks të veçantë punime ndërtimore./am/