RMV, vetëm 53 mjekë të rinj janë paraqitur për specializim, studimet i mbarojnë rreth 300

90

Në tre fakultetet e mjekësisë, në nivel vjetor, diplomojnë ndërmjet 250 dhe 300 mjekë, kurse në thirrjen publike të Ministrisë së shëndetësisë për stazhim gjashtëmujor obligativ në shërbimet e Ndihmës së Shpejtë, pikat për vaksinim dhe shërbimin patronazh, në pajtim me ndryshimet e fundit ligjore, janë paraqitur 53 mjekë të mjekësisë së përgjithshme, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se në konkursin fillestar vetëm aq mjekë kanë parashtruar fletëparaqitje, kurse më tutje do të ketë edhe konkurse tjera dhe se ata do të shpërndahen sipas interesit që do të shprehet në bazë të publikimit, e pas vlerësimit që do të bëhet paraprakisht.

Siç ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ata gjatë kohës së stazhimit do të pranojnë pagë mesatare të mjekut.

Nga Oda e Mjekëve thonë që e kanë dorëzuar listën e mjekëve të cilët kanë marrë licencë për punë, ashtu siç i kanë përfunduar studimet dhe stazhin e duhur për të marrë licencë.

“Për të fituar licencë për punë duhet të kalojnë trajnim gjashtë mujor sipas orarit të Odës së Mjekëve. Pasi ta mbarojnë këtë trajnim fitojnë licencë për punë. Në nivel vjetor diplomojnë rreth 300 studentë, por varësisht nga sesioni i provimeve dhe nga ajo se kur e kanë filluar dhe mbaruar trajnimin, ashtu shkon edhe lëshimi i licencave”, thotë Dr. Kalina Grivçeva-Stardellova, kryetare e Odës së mjekëve.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë që më së shumti mjekë në këtë moment nevojiten në Shtëpinë e shëndetit në Shkup.

“Në Shkup nevojiten edhe rreth 25 mjekë, sipas asaj që e kemi pranuar si kërkesë nga Shtëpia e shëndetit në Shkup, por jo vetëm në këto shërbime, por edhe në entet institucionet tjera”, thonë nga Ministria e shëndetësisë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e fundit miratoi mbi 1.000 specializime dhe sub-specializime për këtë vit dhe tre vitet e ardhshme, nga të cilat më së shumti janë për këtë vit. Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se pjesa më e madhe e specializimeve në pajtim me kërkesat e institucioneve shëndetësore janë miratuar për këtë vit dhe se këtu bëjnë pjesë edhe mjekët e sapo pranuar.

Një pjesë e mjekëve dhe specializantëve të ri javën e kaluar kanë reaguar se qeveria miraton program për specializim sipas zgjidhjeve të vjetra ligjore me të cilat mjekët duhet të kthejnë shuma jashtëzakonisht të mëdha nëse para kohe largohen prej institucioneve shëndetësore publike, si dhe koha që duhet ta kalojnë në spitalet shtetërore pas stazhimit është tepër e gjatë. Ata kanë akuzuar që Qeveria ka miratuar specializime sipas sistemit të fajdexhinjve.

Ndaj kësaj ministri i shëndetësisë Venko Filipçe tha që aspak nuk bëhet fjalë për masë populliste dhe që specializimet nuk do të jenë si më parë, për shkak se ndryshimet ligjore që do t’i miratojnë do t’i lehtësojnë specializimet.

“Me ndryshimet ligjore do të reduktohen shumë shumat që mjekët do t’i kthejnë nëse largohen para kohe nga institucioni shëndetësor publik (ISHP). Do të reduktohet edhe koha që duhet ta kalojnë në ISHP pas specializimit, por edhe shteti do të duhet të mbrohet. Me zgjidhjen e re ligjore do të kërkojmë mënyrë që kjo të vlen edhe për ata të cilët veç më kanë regjistruar specializim sipas ligjit të vjetër, që të mund të nënshkruajnë aneks-kontrata”, ka thënë Filipçe.