Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj ka arritur sot në Shkup, për vizitë zyrtare dyditore, me ç’rast ka takuar edhe përfaqësuesit politikë të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, ndër të cilët edhe ata të Aleancës për Shqiptarët.
Partia e Ziadin Selës me këtë rast publikoi një komunikatë, të cilën po e përcjellim në vazhdim:
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela dhe sekretari gjeneral i ASH-së z. Arben Taravari, sot në Shkup kanë zhvilluar takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë z. Gent Cakaj.
Kryetari Sela i ka uruar Ministrit Cakaj për përgjegjësinë e re si shef i diplomacisë shqiptare. Gjithashtu Ziadin Sela e ka informuar Ministrin Cakaj për aktualitetet politike në Maqedoni, çështjen e Integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, BE, Marrëveshjen e Prespës si dhe temën e zgjedhjeve Presidenciale.
Kryetari Sela i ka kërkuar Ministrit Cakaj që Tirana zyrtare duhet të jetë më aktive edhe përtej kufijve të Shqipërisë, gjithashtu ti ndihmojë Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të bëhet sa më parë pjesë e perspektivës Euro-Atlantike.