Arlind Qori
Sot amerikanët zgjedhin. Në njërën anë kemi një president paaftësia e të cilit ka shkaktuar mbi 200,000 të vdekur nga Covid-19, duke e renditur SHBA në 10 vendet me numrin më të lartë të viktimave për numër banorësh. Si të mos mjaftonte kjo, kemi të bëjmë me një sharlatan të përmasave historike, mizogjin, racist e mjeshtër i fryrjes së çdo instinkti të ulët që gjendet te njeriu i zakonshëm, politikat antimjedisore të të cilit po kontribuojnë në përshpejtimin e shkatërrimit klimatik, për të mos harruar tollovinë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe shkeljet e të drejtës ndërkombëtare.
Një biznesmen i hurit dhe i litarit, Trump-i është i pari president i historisë së SHBA, së paku në 100 e kusur vitet e fundit, i cili kërcënon me mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve dhe është i gatshëm të përdorë çfarëdolloj makinacioni ligjor për të pamundësuar ose vështirësuar votimin ose numërimin e votave të atyre që i konsideron si mbështetës të kundërshtarëve të tij. Ka rrezik që sot, me mbylljen e votimeve, ta shpallë veten fitues të parakohshëm, duke e futur sistemin politik dhe kushtetues amerikan në një vorbull nga e cila zor se mund të dalë. Pak a shumë siç ndodhte në Shqipërinë e fillimviteve 2000, me ndryshimin që kemi të bëjmë me një superfuqi ku presidenti e ka gishtin në butonin e armëve bërthamore.
Megjithatë, Trump-i ia ka dalë të ndërtojë rreth vetes një lëvizje protofashiste, të mbështetur nga lart prej më të pasurve të shoqërisë amerikane (favoret fiskale ndaj të cilëve kanë tejkaluar gjithçka të mëparshme) dhe nga poshtë prej një larmie pjesëtarësh të klasës së mesme rurale dhe protourbane, të dëshpëruarish që kanë humbur prej politikave ekonomike të dekadave të fundit dhe gjithkujt që do ta kthejë mbrapsht rrotën e historisë në marrëdhëniet racore e gjinore.
Përballë Trump-it, paradoksalisht, qëndron përfaqësuesi i një sistemi politik të korruptuar fund e krye, produkti i krizës së të cilit ishte pikërisht fitorja e Trump-it më 2016. Ish-zv.president, politikan karriere nga këta ustallarët që nuk lënë kompromis pa bërë pas kuintave, me rreth familjar të përfshirë në allishverishe deri në Ukrainë, Joe Biden-i ishte zgjedhja e pushtetmbajtësve brenda Partisë Demokrate, të cilët bënë çmos të pengonin kandidimin e korifeut të socializmit demokratik dhe frymëzuesit të rinisë amerikane, të paplakshmit Bernie Sanders. Midis alternativës së goditjes së bazës së Trump-it mes ish-punëtorëve industrialë të Midwest-it (që do të ndodhte me kandidimin e Sanders-it) dhe sfidimit të tij mes klasës së mesme të lartë të periferive borgjeze (kryesisht gra të cilave u ka ardhur në hundë nga harbutëria seksiste e Trump-it), ata zgjodhën alternativën e dytë. Afërmendsh, kështu nuk rrezikonin as privilegjet e tyre.
Jofrymëzues dhe mediokër deri në dhimbje brinjësh, Biden-i mund të konsiderohet me plot gojën një Lulzim Bashë në prag të të 80-ave. Megjithëse e majta e partisë (Sanders, Warren, Ocasio-Cortez etj.) ka diktuar njëfarë agjende progresiste (ndalim të subvencionimit të industrisë fosile, zgjerim i mbulimit shëndetësor publik, pagë minimale 15 dollarë/orë etj.), thelbi i mesazhit politik të Biden-it është pak a shumë kthimi në “normalitetin” e epokës së Obama-Clinton.
Sidoqoftë, SHBA, bota dhe abc e asaj pak demokracie që ekziston (e paplotë dhe problematike) sot kërcënohet nga një fitore e Trump-it. Fitorja e Biden-it mbase nuk do të ndryshojë asgjë, por së paku do t’u jepte amerikanëve dhe mbarë njerëzimit minimumin e kohës për të marrë frymë dhe gjetur mënyrat e transformimeve të shumanshme dhe radikale që kaq shumë po na nevojiten.
Unë në ëndrrat e mia jam duke votuar për Bernie Sanders-in.