Shën Pensionisti

12

Edmond Tupja

Në një sërë kalendarësh, shenjtorët kanë secili nga një ditë në vit për t’u kujtuar e nderuar, por tek ne më i privilegjuari nga ata tash e tutje është shën Pensionisti, sepse ka ditën e vet çdo të shtunë, pra 52 herë në vit, dhe kjo që prej tri javësh, falë vendimit hyjnor të Perëndisë sonë RA, që shkëlqen po aq sa perëndia Diell e egjiptianëve të lashtë, e cila kujdeset si një MAma e vërtetë për ne, pensionistët e Shqipërisë, dhe që na bëri kësisoj të përjetshëm çdo ditë të shtunë, madje, qysh të enjten e shkuar, edhe të dielën deri në orën 10.00, pra, 104 herë në vit!

MARKETING 420 x 60

Lexueset dhe lexuesit e mi të përjavshëm, të cilët sapo e kanë lexuar me vëmendje e respekt paragrafin e mësipërm, e kanë fare të lehtë që nga ky çast ta kuptojnë se për cilën perëndi e kam fjalën. Në ç’mënyrë? Thjesht fare, duke bërë një veprim aritmetikor, d.m.th. një mbledhje të vogël: RA + MA = RAMA. Po, që nga ky moment, populli ynë çdo të shtunë e të diel ka për të festuar shën Pensionistin, siç festohet, për shembull, shën Valentini, madje, sipas mendimit tim modern e modest (por jo mortor), në vend të luleve valentiniane, pensionisteve dhe pensionistëve u duhen dhuruar vetëm puthje, sepse, me shkencë, çdo e puthur ta zgjatka jetën dhjetë minuta, çka do të thotë t’i kundërvihesh kovid-19-s, që ka për qëllim të shpjerë sa më shumë plaka e pleq, pra pensioniste e pensionistë, diku lart në qiell, mes yjeve, apo diku poshtë nën tokë, mes krimbash et minjsh.

Të enjten në darkë, me të marrë vesh se edhe e diela u bë kryeministrisht dita e dytë e shenjtërimit të pensionistit, ish-kolegu dhe miku im i vjetër Françesk Armadhi, pensionist si unë, më nisi me imejll “Lutjen e pensionistit”, vepër të një autori anonim : “O Zoti ynë lart në qiell, / Ose më saktë aty në Surrel, / Falna sot bukë e gjellë, / Se ne jemi pula e veç ti je gjel! Kikiriki, Kikiriku! / Kurrë ti mos rënç nga fiku!”.

Madje, pak më vonë, ai më nisi, po me imejll, një tjetër poezi me autor po aq anonim sa edhe i pari: “Pensionist dil e duku / Në fundjavë mos rri si murgu: / Me vendim kryeministror / Bashkë me shokët je bër’ shenjtor!”.

Mirëpo, pasi lexova këto dy imejlle, pata një si parandjenjë: “Me siguri, – thashë me vete – që kundërshtarët e perëndisë kryeministrore do të reagojnë duke u hedhur në kundërsulm”; rrjedhimisht, prisja që të plaste lufta në rrjetet sociale, por gabohesha, sepse ajo plasi gjithsesi, por në murin e njët pallati ku dikush kishte shkruar nxitimthi: “Rame, ne nuk i hamë dokrrat: Vërtet jemi pensionistë, por mos kujto se duke i shtuar një shkronjë emrit tonë do të na kthesh në penisionistë!”. E lexova dhe rilexova këtë mbishkrim të denjë për një meme, siç thuhet sot në gjuhën e rrjeteve sociale, dhe rashë, si pensionist pa i që jam, në mendime:

Së pari, pavarësisht moshës që kanë, pensionistet e pensionistët nuk janë gjysmakë nga mendja, përkundrazi, falë përvojës së tyre, sidomos në marrëdhëniet shoqërore, ata dinë ta dallojnë të Mirën nga e Keqja, të vërtetën nga gënjeshtra dhe, veçanërisht, hipokrizinë, qesëndinë e talljen nga sinqeriteti dhe dashuria e mirëfilltë për brezin e tyre, prandaj nuk ngopen më, prej vitesh, me lugë të zbrazët.

“Shenjtërimi” i tyre fundjavor nuk mjafton për t’ua bërë jetën të lumtur teksa shohin gjendjen mjerane ku ndodhen me ato pensione qesharake në shumicën e rasteve, pensione që nuk u dalin për të përballuar, qoftë edhe me një minimum dinjiteti, shtrenjtimin e pandalshëm të jetës në këtë Shqipëri të pikëlluar që zbythet zvarrë-zvarrë drejt një të ardhmeje përherë e më të pasigurt për ata, po e po, por edhe për pasardhësit e tyre të lodhur, të zhgënjyer, të stresuar e të dëshpëruar thuajse në kulm.

Së dyti, pavarësisht moshës që kanë, e cila ua ka mjegulluar kujtesën (por jo deri në atë pikë sa të harrojnë premtimet kryeministreske të pambajtura), ata janë ende të aftë të arsyetojnë, pra të kuptojnë e të nxjerrin përfundime, për t’i bërë të ditur perëndisë RAMA se disa orë liridalje më shumë në fundjavë nuk ua fshijnë dot ato orë të gjata burgosjeje shpirtërore që u shkakton, kujt më shumë e kujt më pak, jo vetëm mënyra e TIJ e të qeverisurit, por edhe protagonizmi i TIJ arrogant që vjen herë pas here erë demokarikaturë, kohë pas kohe erë demagokraturë dhe veçanërisht erë demokraturë (për të mos thënë kriptodiktaturë).

Së treti dhe së fundi, nisur nga silogjizmi “Të gjithë njerëzit janë të vdekshëm, ti je njeri, pra je i vdekshëm”, kryeministri RAMA nuk duhet kurrsesi të harrojë se një ditë do të plaket dhe, sado gjatë e lumturisht të jetojë e të sundojë, një ditë kanë për ta varrosur dhe se, sado madhështore dhe epike, sado mallëngjyese dhe lirike qoftë ceremonia e Tij mortore, Ai nuk do të ringjallet për shumë arsye, por unë, pavarësisht se jam ateist, po i përmend vetëm njërën syresh: Ai nuk do të ringjallet, sepse nuk është Jezu Krishti!