Sonte jepet shfaqja e parë historike në Teatrin e Gostivarit, “Nathani i urtë”

124

Sonte ora 20:00, në Teatrin e Gostivarit jepet premiera e parë historike, “Nathani i Urtë” nga Gottold Ephraim Lessing me regji të Sulejman Rushitit, njofton Albanews24.

Nathan i urtë është një shfaqje që promovon humanizmin dhe tolerancën fetare. Ngjarja që ndodh në Jeruzalem gjatë mbretërimit të Saladinit gërsheton shëmbëlltyrën e lashtë të tre unazave dhe fatin e personazheve nga konflikti i dramës. Kjo shfaqje është shumë e nevojshme për botën e sotme të intolerancës.

Shfaqja është në stilin e teatrit total, duke u nërthurrur më shumë element si: teatri i fjalës, teatri fizik, video projeksioni , animacioni, teatri karagoz etj. Shfaqja flet në tre gjuhë: shqip, maqedonisht dhe turqisht në mënyrë që të përçojë edhe gjuhësisht atmosferën e shoqërisë multietnike dhe multikulturore të Jeruzalemit në atë kohë, por edhe vlerën universale dhe të përjetshme të veprës humaniste të Lessing. Sigurisht, shfaqja ruan në mënyrë vizuale dhe përmbajtësore format klasike me shprehje moderne teatrale, në mënyrë që të arrihet pikërisht universaliteti gjeografik dhe pa kohë.

Shëmbëlltyra e tre unazave është gjithnjë dhe kudo e pranishme, siç janë edhe dogmat fetare por edhe format e tjera ekstreme, si kundërvënie ndaj asaj shëmbëlltyre, ose si personazhe të së njëjtës.

Përmes Nathanit, (Visar Vishka), një tregtar hebre dhe vajzës e tij të adoptuar, Reҫa (Sheqerie Ilijazi) që shpëtohet nga zjarri nga një Tempullar i ri gjerman (Driton Lazami), një i burgosur që kursehet nga Sulltan Saladini (Arian Ejupi) sepse I ngjan vëllait të tij të humbur, Daia (Aishe Useini), një e krishterë, dadoja e Reҫës, Fratit (Senad Abduli), Patriarkut (Bereda Reshit) i cili në konceptin e regjisorit Sulejman Rushiti është mishërimi i të gjitha dogmave fetare, në të vërtetë personazhet bëhen vetë pjesë e parabolës së tri unazave. Al-Hafi (Elmir Sejfullai) dhe Sita (Vjolca Baftiu-Zilbehari) nxjerrin në pah anën njerëzore të Saladinit i cili, megjithë vështirësitë e mëdha shtetërore, ende i përmbahet parimeve të tij njerëzore dhe tolerancës fetare. Nathani dhe Saladini janë gjithashtu të lumtur të cilët besojnë se unaza origjinale nga parabola e tri unazave bartet nga ata që besojnë vetëm në vepra të mira, në tolerancë dhe dashuri.

Në rolin kryesor luan aktori dhe njëherit drejtori aktual i Teatrit të Gostivarit, Visar Vishka, ndërsa në rolet tjera luajnë: Ajshe Useini, Sheqerie Iljazi, Driton Lazami, Arian Ejupi, Vjollca B. Zylbehari, Elmir Sejfullai, Senad Abduli, Bereda Rashit.

Skenografia mban firmën e skenografit Argjent Karai. Veshjet janë vepër e Ines Golja. Performanca live e muzikës është nga Adnan Aliu (kavall) dhe Dragan Mateski (daulle). Dizajni i dritave është i Ilija Tarҫugovskit. /Albanews24/