Sveçla i reagon Edi Ramës: Pavarësisht goditjes nga tërmeti, kjo nuk të jep të drejtë të dezinformosh

12

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë mbrëmë, iu përgjigj zërave kritikë për takimin e tij me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Rama tha se këto takime janë të nevojshme për bashkëpunim rajonal, ndërkaq përmendi edhe takimin e deputetit të LVV-së, Xhelal Sveçla me politikanin serb, Marko Gjuriq.

“Edhe ai nga Kosova atje u ulë në një tavolinë me serbin, hëngrën e pinë së bashku”, ka thënë Rama.

E ndaj kësaj deklarate ka reguar Sveçla i cili ka deklaruar se “E kuptoj mungesën e kohës së kryeministrit të një vendi të goditur nga tërmeti për t’u njoftuar saktësisht mbi një konferencë rajonale të një organizate joqeveritare, ecurinë dhe protokollet e saj. Por ky mosinformim nuk i jep të drejtë atij që të fyejë e ofendojë, që të bëjë insinuata, të deformojë e të dezinformojë”.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla më tej ka shkruar se “ne nuk themi që të mos takohet Rama me përfaqësuesit nga Serbia, por këtë ta bëjë psh. në Procesin e Berlinit, por jo në platformat shfajësuese për Serbinë e të interesit të saj tregtar e ekonomik”.

Postimi i plotë:

E kuptoj mungesën e kohës së kryeministrit të një vendi të goditur nga tërmeti për t’u njoftuar saktësisht mbi një konferencë rajonale të një organizate joqeveritare, ecurinë dhe protokollet e saj. Por ky mosinformim nuk i jep të drejtë atij që të fyejë e ofendojë, që të bëjë insinuata, të deformojë e të dezinformojë. Se si ka kaluar Gjuriq në këtë konferencë, Rama do të mund ta kuptonte drejtë e saktë meqenëse ka pasur përfaqësuesit e subjektit të tij aty.

Lëvizja Vetëvendosje tash ftohet në çdo konferencë ndërkombëtare ku flitet për Kosovën. Në anën tjetër, ne nuk themi që të mos takohet Rama me përfaqësuesit nga Serbia, por këtë ta bëjë psh. në Procesin e Berlinit, por jo në platformat shfajësuese për Serbinë e të interesit të saj tregtar e ekonomik.

Duket që nevoja e papërmbajtur për protagonizëm por edhe për devijim të vëmendjes së publikut, po e hedh Kryeministrin Rama nga isoja për një iniciativë të dëmshme por fatmirësisht të dështuar për kombin tonë, si ajo e shkëmbimit territorial, në iniciativë tjetër po ashtu të dëmshme për popullin si mini-shengeni apo mini-jugosllavia, si ka filluar të njihet gjithandej. E për të arsyetuar aventurën e parë dhe për të mbrojtur këtë aktualen, ai duhet të sulmojë e sulmojë, me apo pa argumente. Tepër ngushtë e ka kuptuar thënien se sulmi është mbrojtja më e mirë.

Është për të ardhur keq se si i njëjti kryeministër nuk përmend Vetëvendosjen kur ajo mobilizoi dhe organizoi ndihma për vendin që ky do të duhej të udhëhiqte, e mos të flasim për të falenderuar Lëvizjen apo mos e përmendur shtabin e saj të krizës të udhëhequr nga unë.

Por drejt, se ai e di që ne as nuk u mobilizuam për të apo falenderimet e tij, por për vëllezërit tanë që na janë gjetur e do t’iu gjindemi pranë sa herë të ketë nevojë.