Vala e të nxehtit që ka përfshirë disa pjesë të Evropës, duket se do të bartet në Grenlandë, duke rrezikuar shkrirjen e shtresës së dytë më të madhe të akullit në botë, kanë thënë Kombet e Bashkuara të premten.
Ajri i nxehtë që është bartur nga Afrika Veriore ka rritur temperaturat evropiane më 25 korrik për 2, 3 apo 4 gradë Celsius, ka thënë zëdhënësja e Organizatës Botërore për Meteorologji, duke e përshkruar këtë fenomen si “absolutisht të pabesueshëm”.
Nullis ka thënë në një takim të OKB-së në Gjenevë se “sipas parashikuesve, lëvizjet atmosferike tani do ta bartin nxehtësinë drejt Grenlandës” çka mund të rezultojë me shkrirje të shtresës së akullit nën rekordin fillestar më 2012.
“Ende nuk e dimë sigurt nëse do të tejkalohet rekordi i vitit 2012, mirëpo është afër”, ka thënë ajo.
Shtresa e akullit në Grenlandë është pjesë kyçe e sistemit global klimatik andaj shkrirja e saj do të rezultonte me rritje të nivelit të detit dhe ndryshime tjera klimatike.
Akulli në Grenlandë është shkrirë me shpejtësi të madhe në javët e fundit, ka thënë Nullis, duke përmendur të dhënat nga një shkencëtar për klimën.
“Vetëm në muajin korrik, janë humbur 160 miliardë tonë të akullit për shkak të shkrirjes. Kjo është e barabarë më 64 milionë pishina olimpike”, ka shtuar ajo.
Parisi ka regjistruar temperaturën më të lartë ndonjëherë më 25 korrik, 42.6 gradë Celsius, derisa alarmi i kuq i nivelit më të lartë është lëshuar në veri të Francës.
Belgjika, Gjermania, Luksemburgu dhe Holanda po ashtu kanë regjistruar rekord të temperaturave, 41.8 gradë Celsius, 41.5 respektivisht 40.7 gradë Celsius.