Tensione në gjykimin për Llaskarcën, familjarët e të dëmtuarve mallkojnë të akuzuarit

44

Seanca e sotme për aksidentin në Llaskarcë ka kaluar në situatë të tensionuar.

Avokatët kërkuan përgjigje nga eksperti, në mënyrë që ta konfirmojnë fajin tek të akuzuarit, gjegjësisht si ka ndodhur aksidenti në shkurt të këtij viti.

Familjarët e personave që humbën jetën në aksident, e të cilët e ndoqën gjykimin, mallkuan të akuzuarit dhe të afërmit e tyre, të cilët po ashtu ishin në seancën e sotme.

“Mos paç asnjë të gjallë në Gostivar”, “vdeksh ku je ulur”, “edhe fëmijët tuaj do t’i gjejë e njëjta”, dëgjohej në sallën e Gjykatës Penale.

Gjykatësja Dijana Gruevska-Ilievska disa herë gjatë gjykimit ju tërhoq vërejtjen të pranishmëve në sallë, duke kërkuar prej tyre të mos e prishin rendin në sallë.

Profesori Milan Qosevski, në detyrën e personit ekspert u përgjigj në pyetjet e avokatëve të të akuzuarve dhe të dëmtuarve. Ai tha se nuk ka përgjigje përfundimtare nëse ka pasur shenja të frenimit nga autobusi, në vendin e aksidentit.

Ai tha se gardhi të cilin e ka goditur autobusi nga ana e Shkupit, ka pasur gjatësi më të madhe, por nga ana drejt Tetovës ka pasur gjatësi më të shkurtë dhe nuk ka mundur mirë ta refuzojë goditjen e autobusit.

Seanca e radhës për aksidentin në Llaskarcë, do të vazhdojë në fillim të vitit të ardhshëm, gjegjësisht në muajin janar.

Për aksidentin në Llaskarcë të akuzuar janë gjashtë persona.