Teofilovski vullnetarisht paraqitet në gjykatë, Prokuroria kërkon marrjen e imunitetit

31

Prokuroria Publike informon se i dyshuari i parë për keqpërdorimet në Komunën e Tetovës, Zoran Teofilovski, anëtari aktual i Këshillit Gjyqësor, sot vullnetarisht është paraqitur në Gjykatën Penale në Shkup.

Nga Prokuroria thonë se Teofilovski është thirrur në imunitetin gjyqësor, ndërsa gjykatësi i procedurës paraprake e ka anuluar seancën, që fillimisht të kërkojë marrje të imunitetit. Pas vendimit të Këshillit Gjyqësor, nga Prokuroria thonë se do të veprojnë në pajtim me ligjet.

Paraqitja e Teofilovskit vjen pasi që dje ai nuk ishte i disponueshëm për organet e ndjekjes.

Ai është i dyshuar në hetimin që e hapi Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar, ndërsa ka të bëjë me privatizimin e paligjshëm të tokës ndërtimore.

Në të njëjtin hetim dyshohen edhe shtatë persona tjerë, në mesin e të cilëve edhe ish-të punësuar në Komunën e Tetovës.