Tetova, “parajsë” për kryerësit e krimeve kundër natyrës

13

Vendi i cili për personat që kryejnë krime kundër natyrës mund të konsiderohet si “parajsë” është Tetova, 70.000 banorët e këtij qyteti mbrohen nga vetëm 4 inspektorë ekologjik. Për një vit, këta inspektorë kanë sanksionuar 15 ndotës. Nga Komuna e Tetovës vazhdojnë të mbajnë të fshehur identitetin e tyre, megjithatë ata premtojnë se vitin e ardhshëm do të angazhojnë më shumë inspektorë ekologjik, duke pranuar se numri aktual i tyre është i vogël.

Portalb.mk me vite ka shkruar për fenomenin e mosgjetjes së autorëve të djegjes së mbeturinave në Tetovë, numri i personave të cilët e kanë për detyrë t’i gjejnë dhe sanksionojnë këta persona është jashtëzakonisht i vogël.

Në një nga qytetet që disa here ka triumfuar me ajrin e ndotur dhe me 70.000 banorë, numri i “policëve” për ndotësit e ajrit të cilët funksionojnë në kuadër të Komunës së Tetovës është 4.

Të kontaktuar nga Portalb.mk, nga Inspektorati Komunal nuk komentuan numrin e vogël të tyre, ata thanë se këta persona punojnë ditë e natë për t’i gjetur ndotësit real të qytetit.

“Inspektorët i kemi në teren nonstop, madje që nga fillimi i muajit të kaluar kemi filluar edhe me kontrolle gjatë ditës si dhe me orare të zgjatura. Inspektorët janë në teren nga ora 10 e mëngjesit deri në 10 të darkës” theksoi Gëzim Ganiu, kryeshef i Inspektoratit Komunal në Tetovë.

Edhe pse për një vit këta inspektorë kanë shqiptuar vetëm 16 dënime, nga Komuna e Tetovës punën e tyre të deritanishme e cilësojnë si korrekte, duke pranuar se numri aktual i inspektorëve ekologjik është i vogël.

“Është e vërtetë që 4 inspektorë ekologjik janë pak, meqenëse ne jemi koshient për këtë në planin për punësim të vitit në vijim do të parashikojmë rritjen e numrit të tyre. Do të shqyrtojmë edhe variante të tjera për autorizim të kompetencave aty ku nuk do të mund të bëjmë konkurse” thanë nga Komuna e Tetovës.

Në pyetjen tonë se sa dënime kanë shqiptuar këta inspektorë për vitin 2019, nga Komuna e Tetovës na thanë se “Numri i dënimeve është 16, aq duhet të jetë edhe ai i vërejtjeve”.

Disa nga rastet për të cilat autorët ngelën të pazbuluar, si pasojë e paaftësisë të inspektoratit ekologjik janë djegia e deponisë së Tetovës, djegia e mbeturinave te lagjet “Bllok 70” dhe “Dardania” , djegia e mbeturinave në “Lagjen e romëve”, si dhe shumë tjera të cilat qytetarët vazhdimisht i denoncojnë në “E-report” për arsye se numri i vendosur në webfaqen e Komunës (0800-55-043) për denoncimin e këtyre rasteve, është jofunksional.

Për redaksinë tonë ishte e pamundur të biejmë në kontakt me ndonjë nga këta inspektorë, për arsye se edhe pas insistimit tonë nga Inspektorati Komunal edhe nga Zyra për Informim vazhdojnë t’i mbajnë të fshehur identitetin e tyre.

  • Komuna vazhdon të mos tregojë lartësinë e rrogave dhe kompensimeve për inspektorët dhe të punësuarit tjerë në Inspektoratin e Tetovës, të cilët paguhen nga paratë e qytetarëve.
  • Komuna nuk i tregon emrat e inspektorëve komunal, nuk jep të dhëna për kontakt me të njëjtët.
  • Komuna gjithashtu pjesërisht është përgjigjur për të punësuarit tjerë përveç inspektorëve në Inspektorat, gjegjësisht 19 referentëve ose ndihmës profesional zyrtar administrativ, se çfarë pune konkrete kryejnë.
  • Komuna gjithashtu pjesërisht dhe në mënyrë të paqartë është përgjigjur në lidhje me atë se a ka ndonjë që punon rregullisht pas orarit të caktuar, gjegjësisht që kujdestaron në mënyrë të rregullt gjatë orëve të natës. Komuna thotë se ka kujdestar sipas nevojës, por nuk specifikojnë se si e konstatojnë “nevojën për kujdestar” – duke e pasur parasysh se ndotësit djegin gjësende të ndaluara pa orar të caktuar dhe ky aktivitet nuk mund të parashikohet nëse inspektorati pretendon të jetë efektiv në punën që e bën.