Tetovë: Edhe ura te Çarshia e Epërme e uzurpuar nga shitësit

295

Edhe ura te Çarshia e Epërme, ashtu si shumë hapësira tjera publike në Tetovë, është e uzurpuar nga shitësit, madje ata e kanë zënë plotësisht trotuarin, transmeton Portalb.mk.

Redaksia e Portalb ka identifikuar disa nga hapësirat e uzurpuara publike në qytetin e Tetovës, si: qendra e Tetovës, trotuaret rreth Tregut të Gjelbër, tregu ilegal i kafshëve në hyrje të qytetit, veturat e vjetra dhe e fundit e identifikuar, ura te Çarshia e Epërme. Trotuaret e dedikuara për kalim të këmbësorëve anash urës janë të uzurpuara nga shitës të pemëve e perimeve, por edhe të produkteve të ndryshme. Banorët thonë se kjo vështirëson edhe komunikacionin meqë ata detyrohen të ecin në rrugë pasi nuk kanë nga të kalojnë.
Hapësira publike të uzurpuara, Tetovë
“Normal që na bëjnë problem, nuk kemi nga të kalojmë. Megjithatë, kohëve të fundit nuk ka aq shumë sa kishte më herët. Por sërish, edhe këto që janë e pengojnë komunikacionin”, u shpreh një nga banorët.
Hapësira publike të uzurpuara, Tetovë
Nga ana tjetër, inspektorati komunal duket sikur nuk po e kryen punën e vet për lirimin e këtyre hapësirave, meqë të njëjtat janë të uzurpuara për vite me radhë.