Turneu i Wimbledon, të mëdhenjtë kapin çerekfinalet

10

Të mëdhenjtë e tenisit botëror nuk gabojnë në raundin e katërt të Wimbledonit dhe kualifikohen për në çerekfinale të turneut.

Roger Federer e ktheu në një seancë stërvitore përballjen me italianin Matteo Berrettini të cilin e mundi me rezultatin 3-0 në 1 orë e 13 minuta lojë dhe e shkruan emrin mes 8 më të mirëve të këtij kompeticioni për herë të 17 në karrierë.

6-1;6-2;6-2 ishte rezultati i seteve në favor të Federer që tregon se zvicerani nuk i la asnjë shans kundërshtarit të tij për t’iu kundërpërgjigjur në lojë.

Fitore shumë të lehtë arriti edhe Rafael Nadal që kërkon titullin e tij të tretë në turneun londinez. Tenisti spanjoll likuidoi pa shumë probleme portugezin Joao Sousa me rezultatin 3-0.

32 vjeçari e dominoi nga fillimi deri në fund të takimit duke i fituar të 3 setet me të njëjtin rezultat 6-2 në 1 orë e 45 minuta lojë dhe tani si kundërshtar të radhës do të ketë Sam Querrey.

Padyshim nuk mund të mungonte në çerekfinalet e Wimbledonit as Novak djokovic. Numri 1 i renditjes botërore dhe kampioni në fuqi i turneut ndoqi shembullin e rivalëve të tij duke fituar me lehtësi përballjen me francezin Ugo Humbert me rezultatin 3-0.

Tenistit serb iu desh vetëm 1 orë e 42 minuta lojë për të mbyllur llogaritë e kësaj sfide duke i fituar setet 6-3;6-2 dhe 6-3./Top Channel/