U shkarkua gjykatësi Vlladimir Pançevski, ndërkohë u emëruan dy kryetarët e rinj të gjykatave

10

Në seancën e sotme të Këshillit gjyqësor u shkarkua nga funksioni i gjykatësit Vlladimir Pançevski, ish kryetari i Gjykatës penale në Shkup.

Ilfet Bajramovski u zgjodh kryetare e Gjykatës themelore në Strugë në këtë seancë, ndërsa Lazar Nanev u zgjodh në Kavadar.

Mungesa e koordinimit dhe harmonizimit mes anëtarëve të Këshillit, ishte arsyeja kryesore që sot në seancë nuk u përzgjedhën gjashtë gjykatësit në Gjykatën e apelit në Shkup, tre gjykatës për fushë penale, dy gjykatës për fushën civile dhe një gjykatës për fushën ekonomi-tregti. Kjo seancë do të vazhdon të hënën.

Përndryshe, Pançevski akuzohet edhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë shfrytëzimit të sistemit AKMIS. Ai mund të dënohet prej 6 muaj deri në 3 vjet burg nëse shpallet fajtor se e ka shpërdorur detyrën dhe autorizimin zyrtar duke shpërndarë lëndë gjyqësore në mënyrë manuale, gjegjësisht duke mënjanuar përdorimin e sistemit AKMIS.

Akuza ndaj Pançevskit u ngrit pasi që në fund të vitit 2017-të Ministria e Drejtësisë e publikoi raportin që doli nga kontrolli i sistemit AKMIS. Pas kontrollit të bërë në Gjykatën Themelore Shkupi 1 plani vjetor për menaxhim me lëndët gjyqësore është sjellë më vitin 2013 dhe për të njëjtin nuk është formuar trup punues, gjë e cila nënkupton se lëndët janë ndarë në mënyrë manuale. Edhe orari i punës në këtë gjykatë nuk ka qenë stabil, vetëm gjatë shtatorit të 2017-s i njëjti është ndryshuar tre herë.

Për manipulimin e sistemit u shkruajt edhe në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), të cilët i theksuan me emër dhe mbiemër kryetarët e Gjykatës Themelore të Shkupit dhe asaj Supreme, si të përfshirë në skandalin me AKMIS.