Gjatë ditës së premte, në stacionin policor në Tetovë është marrë në pyetje aktivisti i Lëvizjes Besa, Artan Etemi. Ai është ftuar për shkak të vendosjes së afisheve nëpër udhëkryqet e Tetovës. Pas denoncimit të rastit në polici, kjo e fundit ka ftuar atë që të paraqitet në stacionin policor në Tetovë për të zbardhur në tërësi rastin. Pas paraqitjes në polici të Artan Etemit, në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë ka shkuar personalisht edhe lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. Ai ka akuzuar se policia e Tetovës në vend se të mbrojë aktivistët, mbron një grup kriminelësh. Sipas tij, fillimisht nga policia nuk kanë pranuar të tregojnë nëse aktivisti i partisë gjendet në polici, por se konfirmimi ka ardhur pas insistimit të avokatit mbrojtës.
“Kjo ndodhë kur partitë politike, kur pushteti humb rrugën, në vend që të merren me mbrojtjen e qytetarëve, në vend që t’iu shërbejnë qytetarëve, ata merren me mbrojtjen e një grupi kriminal që funksionon si një grup paralel në shtet e që është BDI. Nëse disa aktivistë kanë bërë ndonjë aktivitetet për të denoncuar dhe për të shprehur interesin dhe dëshpërimin e tyre, tani policia i trajton ata në mënyrë arbitrare për t’i frikësuar”, tha Kasami pas daljes nga Stacioni Policor në Tetovë së bashku me aktivistin Artan Etemi.
Kreu i Lëvizjes BESA është shprehur se nëse këto raste përsëriten, atëherë ai vet do të vendos afishe. “Mesazhi ynë është që ne edhe më tutje do të jemi në shërbim të qytetarëve, nuk do të frikësohemi nga presionet e tyre. Fatkeqësisht, në polici kuptuam edhe diçka, që askush nuk e di se çka po ndodh në këtë institucion, në hyrje aty ku duhet të paraqitemi, në fillim na thanë që nuk ka një person të tillë të thirrur në polici, e që pastaj kur erdhi avokati ynë, e kuptuam që po paska një person të thirrur në polici të denoncuar për një aktivitetet publik, për një aktivitetet i cili është në mbrojtje të qytetarëve. Kjo është Tetova, kjo është policia jonë e cila në vend që t’i mbroj qytetarët, mbron një grup kriminel, të korruptuar që gjendet pjesë e kësaj Qeverie, pjesë e Qeverisë LSDM-BDI. Publikisht deklaroj se nëse vazhdojnë me këto reperkusione, do të dal dhe të njëjtat veprime do ti bëj unë personalisht nëpër rrugët e Tetovës dhe le të më arrestojnë, por në asnjë moment nuk do të tolerojë të frikësohen aktivistët e Lëvizjes BESA për aktivitete që janë në të mirë të qytetarëve”, tha Kasami, njofton Koha.
Nga Policia e Tetovës kanë deklaruar se persona të panjohur, në 10 lokacione, gjegjësisht udhëkryqe në Tetovë, në shtyllat metalike të shenjave të komunikacionit, kanë vendosur tabela prej druri, me afishe të cilat kanë qenë të shkruara me përmbajtje poshtëruese, të drejtuara në adresë të partisë politike. “Janë kryer hetimet dhe rasti është duke u zbardhur. Sa i përket personit në fjalë, Artan Etemi nuk është arrestuar, por vetëm është ftuar në bisedë informative”.
Ndryshe, gjatë ditës të djeshme, një grup i të rinjve shqiptar të quajtur Lëvizja Rinore kanë mbushur qytetin e Tetovës me “shenja të komunikacionit” që tregojnë rrugën që, siç thonë, për tek selia e turpit të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. “Këto aktivitete guerile do vazhdojnë deri në largimin e plotë të BDI nga skena politike”, shkruan në profilin zyrtar të Lëvizjes Rinore. (U.H)