Universitetet në Maqedoni: Komunitet shkollarësh apo vetëm farsë?

84

Për krejt në fund, neve na ngelet që të shkëputemi nga e kaluara dhe të krijojmë politika arsimore progresive të cilat do të mundësojnë që me universitetet të udheheqin ata të cilët i njohin hulumtimet shkencore nga thelbi.

Shkruan: Dr. Artan Limani

MARKETING 420 x 60

Fjala universitet vjen nga fjala latine universitas që don të thotë komunitet shkollarësh apo dijetarësh. Komunitetet e para të regjistruara të takimeve mes studentëve dhe profesorëve mendohet të kenë ndodhur në universitetin e al-Qarawiyin në Maroko dhe në universitetin e Bolonjës në Itali. Doktoratura e parë besohet të jetë dhënë para diku 800 viteve nga universiteti Europian i mesjetës nga ku është zhvilluar universiteti si një sistem në funksion të krijimit të dijes dhe civilizimit. Sipas Blessinger, nga aspekti pedagogjik, skolastika, duke përdorur rezonimin dialektik për të arritur te e vërteta, ishte metoda më e përdorur në universitetin e hershëm. Nga periudha e renesansës e këndej, humanistika, duke u fokusuar në të menduarit kritik dhe në observime empirike, u paraqit si pjesë integrale e mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Arsimi i lartë gjithmonë ka luajtur një rol kritik në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të çdo vendi. Sot, universitetet janë ekosisteme komplekse të cilat fokusohen në hulumtime (origjinal: research universities), në arte liberale (origjinal: liberal arts), kolexhe universitare (origjinal: community colleges), dhe universitete politeknike. Të gjitha këto, që nga themelimet e tyre, kanë funksionuar duke u bazuar në matrica të inovacioneve me qëllim qe të modernizohen dhe të tërheqin studentët dhe mësimdhënësit më të mirë të botës.

Sa për ilustrim, disa prej tyre janë edhe botërisht të njohura si Harvardi, MIT, Oxford, Cambriddge, ETH Zurich, Humboldt në Berlin, Sorbona në Paris, e të tjera. Çka i bën këta universitete aq inovative dhe progresive që të jenë lidere të arsimit të lartë në botë? Përgjigjja është e thjeshtë: Është pikërisht integrimi i zhvillimit të hulumtimeve, mësimdhënies dhe mësimnxënies në misionin dhe vizionin e tyre. Për më tepër, është edhe zbatimi i këtyre elementeve në çdo program studimor për të mbajtur të gjallë tentimin permanent për inovacion nëpërmjet hulumtimeve të aplikuara në komunitet, zhvillimit profesional të mësimdhënësve, ndryshimit sistematik të kurikulave dhe krijimit të lidhjeve mes universiteteve, me organizatat qytetare, bizneset e vogla dhe të mësme, si dhe me kompanitë globale.

Universiteti modern, siç e njohim sot, zanafillën e ka që nga fillimi i shekullit 19-të me etablimin e universitetit të Berlinit nga apo siç njihet sot, Universiteti i Humboldtit në Berlin. Në qendër të modelit Humboltdian është zhvillimi holistik i studentëve nëpërmjet hulumtimeve dhe studimeve. Ky model, bën integrimin e arteve dhe shkencës me hulumtime me qëllim që të arrihet nxënie e dijes në një fushë specifike si dhe të zhvillimit të kulturës së përgjithshme të studentit. Wilhelm von Humboldt i cili në kohën e reformave Prusiane ishte i interesuar të ngrenë nivelin e qytetërimit të klasës së mesme, e promovoi arsimin e përgjithshëm si pjesë të studimeve universitare. Ai besonte fuqishëm se studentët nuk munden të bëhen zejtar, tregtar, ushtar, apo ndërmarrës, nëse nuk janë qytetarë të ngritur dhe të informuar mjaftueshëm. Ai ishte i sigurt se nëse një student e kalon një periudhë ngritjeje qytetare dhe me dijeni të përgjithsme për botën dhe kulturat e saja, shkathtësitë profesionale do të fitoheshin shumë më lehtë. Gjithashtu, sipas tij, një njeri me këto atribute të larta qytetare, do të mundej lirshëm të kalonte nga një vokacion në tjetër. Pra, Humboldt-i njihet si njeriu me më shumë influencë në arsimin e Gjermanisë dhe unë lirisht do të kisha thënë në të gjithë botën, pasi që modeli i tij i bazuar në ngritje holistike të studentit dhe kombinimi i hulumtimeve me mësimdhënië është sot modeli i cili aplikohet në SHBA, në një formë autentike.

Është gjithsesi paradoksale që pas lufës së dytë boterore, atëherë kur edhe janë hapur numri më i madh i iniverziteteve në Europë, të njejtit nuk kanë ndjekur këte model por përkundrazi, universiteti Europian është fokusuar në aspektin filozofik të shkencës dhe si rezultat qasja e ligjeruesve ndaj shkencës ka qenë abstrakte dhe jo praktike sic ka ndodhur në SHBA. Edhe pse universitetet si Oxford dhe Cambridge-i të Anglisë gjenden lartë në listat e prirësve të arsimit të lartë për kualitet, arsimi i lartë ne SHBA ngel të jet lider për cilësi në mesimdhënie, mësimnxënie dhe hulumtime. Kjo pikërisht për shkak të modelit Humboldtian që ata kanë aplikuar në mësimdhënië duke kombinuar atë me hulumtime. Gjithashtu, arsimi i bazuar në “arte liberale” (Liberal Arts Education) fundamentin e ka në modelin Humboldtian dhe si rezultat SHBA-të kanë një demokraci funksionale të bazuar në individin si dhe janë prirës në inovacion për të ridizajnuar vendin e punës, ashtu siç e njohim ne. Madje mos të harrojmë, revolucioni i katërt industrial, zhvillimin më substancial e ka në SHBA.

Është për të përshëndetur lëvizjen e madhe që ndodh për momentin në Unionin Europian e cila si duket i kthehet modelit Humboldtian. Në një studim të inicuar nga Asociacioni i Universiteteve Europiane (EUA) të vitit 2019, i quajtur “Roli i Universiteteve në Ekosistemet Inovative Regjionale,” shohim që shkathtësitë që iu duhen resurseve njerëzore për të implementuar ekosisteme inovative regjionale janë po ato të cilat i përmendëm më herët. Pra, universitetet e vizituara nga asociacioni kanë referuar që ndryshimet inovative që ata implementojnë bazohen në integrimin e interdisiplinaritetit në kurikulat studimore. Për shembull, universiteti Teknik i Mynihut (TUM) ka integruar module të shkencave sociale dhe atyre humane në kurikulën e inxhinierisë. Njëjtë edhe kurikula e re dhe fleksibile e zgjedhjes së lëndeve interdisiplinare në universitetin e Sorbonës në Paris ka tërhequr më shume studentë se çdo herë më parë.

Ndryshimet e fundit brenda BE-së që u japin më shumë autonomi universiteteve të vendosin për kurikulat e tyre e ka mundësuar që Universiteti Masaryk në Republikën Çeke të krijojë një strukturë të re të zhvillimit të shkathtësive interdisiplinare tek studentët e vet. Me disa fjalë, shumica e universiteteve në BE tani më kanë marrë një destinim praktik ndaj arsimit universitar dhe iu ofrojnë studentëve të vet një qasje multidisiplinare të nxënies së dijes. Studimet organizohen duke iu mundësuar studentëve të zhvillojnë aftësitë ndërmarrësorë pa marrë parasysh se çka studiojnë të njëjtit. Pra, një student mund të ketë studiuar për ndërtimtari, mirëpo në programën studimore ka pas të integruar “shkathtësi për jetë” (origjinal: life skills) si dhe mundësi për të zhvilluar një mendësi dhe shkathtësi ndërmarrësore, krahas mendësisë qytetare. Pra, BE ka bërë një kërcim kuantik sa i përket ndryshimeve të kurikulave universitare për të iu dhënë studentëve mundësi të zhvillojnë karakterin e tyre të përgjthshëm si qytetarë dhe shkathtësi shtesë që të munden të ballafaqohen me sfidat e një botë përplot me ndrsyhime të shpeshta.

Si qëndrojnë universitetet në shtetin tonë kundrejt atyre në BE dhe SHBA? Për fat të keq, universitetet në shtetin tonë janë produkt i një sistemi të kombinuar – komunist dhe neo-liberal. Them komunist sepse deri më tani nuk kanë ndodhur ato ndryshime themelore që priteshin si digjitalizimi i administratës dhe administrimit me procesin arsimor. Për shembull, indeksat duhet të ishin pjesë e së kaluarës si dhe shumë procedura tjera administrative. Gjithashtu, edhe marrëdhënia profesor – student duhet të pësojë një ndryshim thelbësor ku studentët do të bëhen pjesë e ekipeve kërkimore të udhëhequra nga vetë profesorët. Pas mëvetësimt të shtetit, universitetet shtetërore ranë nën ndikimin e politikës, kurse ata private u sistemuan si profitabile. Sot, universitetet shtetërore nuk ngjasojnë me asnjë universitet të përmendur më lartë, bile as atij të hershmit, as atij të mesjetës, e as atij të Europës së pas luftës së dytë botërore.

Ndryshimi duhet të fillojë nga depolitizimi si fazë e parë me qëllim që të hapet një dialog i gjërë qytetarë ku nëpërmjet ndryshimeve ligjore të kërkohet më shumë autonomi në vendim marrje. Më tej, faza e dytë duhet të fokusohet në inovacion përmes “diversifikimit të kurikulave” që të ofrohet një qasje multi disiplinare ndaj nxënies së dijes. Faza e tretë është rritja e mobilitetit të studentëve vendor dhe ata të huaj, si dhe të ligjëruesve. Një element unik që ne duhet implementuar në pjesën e kurikulave është inkuadrimi i lëndës së hulumtimeve shkencore nëpër krejt kurikulen universitare. Kjo është një qasje specifike në dizajnimin e kurikulave dhe njihet si një lëvizje akademike globale e quajtur “hulumtimet shkencore si pjesë integrale të kurikulës” (original: Research Across the Curriculum), ku parashihet që përpos lëndës hulumtime shkencore si lëndë vetanake e domosdoshme për çdo program studimor, e njëjta të inkuadrohet në të gjitha lëndët e programës studimore. Kësisoj, kur një student të diplomoj, ajo apo ai, do të ketë dijeni të mjaftueshme për hulumtimet shkencore si bazament i procesit akademik. Më vonë, kur studenti të vendos të kalojë në magjistraturë apo doktoraturë, i njëjti të ketë shkathtësi për t’u përballur me kërkesat rigoroze për hulumtime shkencorë te avancuara, të cilat gjithashtu duhet inkuadruar pasi që nuk ekzistojnë si të tilla.

E gjithë kjo hap kutinë e Pandorës pasi që me vete sjell edhe kërkesën për qasje të studentëve dhe ligjeruesve në biblotekat globale online, të cilat duhet të sigurohen nga çdo universitet, publik apo privat. Nga kutia do të nxjerrim edhe atë të pashmangshmen që sugjeron që për shkak të qasjes në këto biblioteka globale dhe për shkak të nevojës për rritje të mobilitetit të studentëve dhe ligjëruesve, gjuha angleze do të duhej të jetë qendrore në këtë matricë zhvillimore. Pra, si duket, ne kemi dy opsione, edhe atë: të mbijetojmë duke ndryshuar apo të dezintegrohemi përgjithmonë nga shoqëria globale e dijes.

Nuk ka mëdyshje që inovacioni përmes diversifikimit të kurikulave me një qasje multi disiplinare do të na ndihmonte edhe në etablimin dhe funksionimin e demokracisë në shtet, për të cilën kemi nevojë më shumë se kurdo më parë. Kësisoj, universitetet do të nxjerrnin kuadro të cilët do të fuqizonin sektorin civil apo njërën nga tre shtyllat e shoqërisë. Për këtë shkruajnë edhe Blessinger, Enakshi dhe Mahoney në artikullin e tyre “Arsimi i lartë për një shoqëri më të mirë qytetare” (original:Towards higher education for a better civil society) dhe sugjerojnë që transformimi i kurikulave për të integruar përgjegjësi shoqërore (original: social responsibility) dhe zhvillim të qëndrueshëm (sustainable development) duhet të ndodh shpejtëMadje, ata i referohen zëvendës rektorit të universitetit të “West of Scotland” i cili thotë që nëse universitetet nuk kanë përgjegjësi shoqërore, të njëjtat nuk kanë të ardhme.

Për krejt në fund, neve na ngelet që të shkëputemi nga e kaluara dhe të krijojmë politika arsimore progresive të cilat do të mundësojnë që me universitetet të udhëheqin ata të cilët i njohin hulumtimet shkencore nga thelbi. Të udheheqish me një universitet domethënë t’i paraprish një grupi të madh të shkollarëve dhe t’i motivosh të njëjtët të inicojnë hulumtime autentike shkencore si dhe inovacion të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Si rezultat i këtij defekti në sistem, ne jemi duke u përballur me një fenomen të temave të magjistraturave dhe doktoraturave të cilat ngjasojnë me ato të “hartimeve” të shkollave të mesme të viteve të 90-ta. Kjo duhet ndaluar shpejtë pasi që me hapjen e negociatave me BE-në, reperkusionet do të jenë enorme.

Burimi: Respublica