Vazhdon debati për buxhetin për vitin 2020, deri të premten duhet të miratohet

13

Kuvendi e filloi debatin rreth Propozim-buxhetit të plotësuar për vitin 2020. Propozimi i plotësuar i përmban 12 amendamentet e pranuara gjatë debatit në Komisionin për financim dhe buxhet. Në fokus të Buxhetit në vitin 2020 janë investimet në kapitalin njerëzor. Para deputetëve Buxhetin e elaboroi ministrja e Financave, Nina Angellovska.

Për shumicën, Buxheti për vitin e ardhshëm është zhvillimor, me mjete të orientuara drejt projekteve nga programi dhe interesat e qytetarëve. Për opozitën, ai është social, populist dhe parazgjedhor.

Të ardhurat në Propozim-buxhetin për vitin 2020 janë projektuar në 222 miliardë e 300 milionë denarë (3 miliardë e 615 milionë euro), që paraqet rritje prej 5,6 për qind krahasuar me këtë vit. Tek shpenzimet në Buxhet është planifikuar rritje prej pesë për qind në krahasim me vitin e kaluar, me çka shpenzimet e përgjithshme paraqesin 239 miliardë e 700 milionë denarë, përkatësisht tre miliardë e 898 milionë euro.

Deficiti buxhetor për vitin 2020 është parashikuar në nivel prej 2,3 për qind të BPV-së, që është më i ulët se niveli në vitin 2019 kur paraqiste 2,5 për qind, në pajtim me Strategjinë fiskale 2020-2022, si dhe rekomandimet e organizatave
ndërkombëtare.

Deficiti është pakësuar dhe në nivel absolut për 160 milionë denarë, dhe paraqet 17 miliardë e 385 milionë denarë.

Ministrja e Financave, Nina Angellovska theksoi se në fokus të Buxhetit për vitin e ardhshëm është kapitali njerëzor, përkatësisht sistemi më i mirë shëndetësor, arsimor dhe social dhe mbështetje e fuqishme për rritje të sektorit real.

Në debat, Liljana Kuzmanovska nga VMRO-DPMNE e vlerësoi si social, populist, parazgjedhor dhe i cili nuk është Buxhet i orientuar drejt kapitalit njerëzor.

Debati rreth buxhetit në pajtim me Rregulloren e Kuvendit duhet të zgjasë më së shumti pesë ditë pune.