Zaev: Nuk dorëhiqem nëse opozita vijon me bllokimin e proceseve

19

Në vitin 2020 do të ketë zgjedhje, por nëse ato do të mbahen më 12 prill ose jo kjo varet nga qasja e opozitës në Kuvend. Ky është komenti i kryeministri Zoran Zaev dhënë në emisionin “Magazina Ekonomike” që sonte transmetohet në Alsat. I pari i Qeverisë këmbëngul se zgjedhjet e parapara për 12 prill mund të shtyhen derisa opozita rrezikon rrogat, pensionet dhe investimet.

Gjithsesi se do të ketë zgjedhje dhe duhet të ketë. Sonte flasim për ekonomi, arsyeja më e fortë, sipërmarrësit, bizneset, amvisëritë etj. Pra, këto janë edhe arsyet pse mund të shtyhen zgjedhjet, nëse dikush vazhdon t’i rrezikojë planet ekonomike si pjesë e Qeverisë. Për ketë arsye them se nuk do të lejojmë që dikush në mënyrë jo të pranueshëm, të parregullt, perfide, t’i bllokojë rrogat, pensionet, politikat ekonomike, investimet, zhvillimin dhe shumë gjëra tjera me qëllim të vetëm kalkulimet zgjedhore dhe politike – u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.

Zaev më herët madje tha se mund edhe të mos dorëhiqet më 3 janar ashtu siç parashikon Marrëveshja e Përzhinës për Qeverinë teknike, pikërisht për shkak të obstruksioneve të opozitës.

Nuk e kam ndërmend të jap dorëheqje derisa dikush vazhdon t’i bllokojë proceset. Pa dorëheqjen time nuk mund të fillojë asnjë procedurë për qeverinë teknike – tha Zoran Zaev, kryeministër.

Ndonëse largimi i Zaev vihet në pikëpyetje, Alsat mëson se në vendin e tij si kryeministër teknik pritet të caktohet ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski. VMRO-DPMNE-ja edhe sot ka akuzuar kryeministrin se po friket nga zgjedhjet. VMRO-DPMNE-ja vlerëson se Zaev ka nuhatur humbjen dhe për këtë arsye kërkon alibi për shtyrjen e tyre. Partia e Hristijan Mickoskit këmbëngul në datën për zgjedhje duke kërcënuar me revoltë në korniza të mjeteve demokratike.

VMRO-DPMNE-ja nuk do ta pranojë kumarin që po luan Zaev dhe nuk do të pranojë kushte. Zaev prej kohësh nuk është në gjendje që të vendos kushte sepse ai nuk ka më kredibilitet dhe zgjedhjet janë zgjidhja e vetme. Nëse kësaj here interesat e tij personale i vendos para interesave shtetërore dhe të qytetarëve, me qëllim që të shpëtojë nga përgjegjësia dhe vazhdoj ta vjedh shtetin, do të ballafaqohet me revoltën e popullit, të VMRO-DPMNE-së dhe gjithë shtetit. Ne do të veprojmë bashkërisht me popullin në mbrojtje të demokracisë dhe pa pranuar kushtëzime – deklaroi Aleksandër Nikollovski, Nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Sipas konsensusit mes partive politike, më 3 janar Qeveria duhet të merr karakterin teknik. Të premten, LSDM-ja pritet të mbledh organet e partisë për caktuar emrin e kryeministrit teknik. VMRO-DPMNE-ja thonë se çështja e kuadrove për Qeveri teknike, akoma nuk është hapur në organet e partisë. Edhe opozita paralajmëron se të premten pritet të vendoset për emrat e mundshëm. /Alsat M/