Zelensky dhe çmimi i paqes

10

Roman Gonçarenko

Është e premte, tre ditë para samitit të Ukrainës Lindore në Paris. Presidenti ukrainas paraqitet në një emision televiziv me titullin “Volodymyr Zelensky në kërkim të paqes”. Kreu 41-vjeçar i shtetit ecën me energji në studio, ai mban veshur pantallona ngjyrë ulliri dhe një xhaketë pëlhure dhe kërkon falje për pamjen e tij me një buzëqeshje: “Nuk kisha kohë të ndërrohesha, isha në front”. Në Paris, ai do të zbulojë “nëse të gjithë duan ta përfundojnë gradualisht këtë luftë të trishtuar”, thotë ai. Me këtë ai nënkupton Presidentin rus Vladimir Putin, të cilin Zelensky do ta takojë personalisht për herë të parë në të ashtuquajturin samit të formatit Normandie, përkrah kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit francez Emmanuel Macron.

Në fund, takimi më 9 dhjetor në Pallatin Elize zgjati më shumë se nëntë orë, përfshirë një konferencë për shtyp. U ra dakord për një provë të re për armëpushim, për një shkëmbim të burgosurve deri në fund të vitit dhe tërheqje të trupave në tre lokacione të tjera deri në mars të vitit 2020. Rëndësi qendrore ka sidoqoftë deklarimi në mbështetje të Marrëveshjeve të Minskut, me të cilat që në vitin 2015 u synua t’i jepet fund luftës në rajonin qymyrmbajtës të Donnbasit dhe të cilat akoma nuk janë zbatuar.

Paqja ishte një nga premtimet qendrore të ish-producentit të televizionit, aktorit dhe komedianit Zelensky, i cili e njoftoi kandidaturën e tij për president pak më pak se një vit më parë – më 31 dhjetor 2018. Në programin e tij elektoral, ai premtoi të “përfundojë luftën, të kthejë territoret e pushtuara përkohësisht dhe të detyrojë agresorin të kompensojë humbjet”. Zelensky i fitoi zgjedhjet presidenciale në pranverë me një rezultat rekord. Partia e tij e re “Shërbëtorët e Popullit” gjithashtu përfitoi nga dinamika e tij dhe mori një shumicë absolute në verë. I pajisur me një pushtet të fuqishëm, të cilin zor se e pasur ndonjë president ukrainas para tij, Zelensky që atëherë ndodhet nën presion nga bashkatdhetarët e tij. Dëshira për paqe në shoqërinë ukrainase është shumë e madhe pas pesë viteve të luftës. 71 përqind e të anketuarve në fund të gushtit e cilësuan armëpushimin si detyrën më të rëndësishme për presidentin e ri.

Lëvizje ka pasur me të vërtetë, veçanërisht në anën ukrainase dhe në një drejtim – pas. Zelensky hoqi dorë nga retorika luftarake e paraardhësit të tij Petro Poroshenko. Para Samitit të Normandisë në Paris, ai iu përgjigj kërkesës së Rusisë dhe urdhëroi që trupat të tërhiqeshin në tre vende të dakorduara, pa pritur një armëpushim të plotë dhe të qëndrueshëm. Më në fund, Zelensky u pajtua për një kusht të Vladimir Putinit dhe me këtë Ukraina nënshkroi një angazhim për të ashtuquajturën “formula Steinmeier”, e cila rregullon statusin de fakto të autonomisë të zonave separatiste rreth Donetskut dhe Luhanskit në lidhje me zgjedhjet lokale.

Ndër të tjera për këtë presidenti ukrainas mori në Paris vlerësime nga Merkeli dhe Macroni. Në të njëjtën kohë, profesionistit të mediave i pëlqen ta inskenojë veten si president i paqes. Në fund të tetorit, disa stacione televizive transmetuan një dokumentar gati 23-minutësh të titulluar “Vetëm një hap deri në paqe”. Prodhimi, siç duket i porositur nga administrata presidenciale, e portretizon Zelenskyn si paqeruajtës të afërt me popullin. “Na sillni paqen”, përgjërohet një grua e moshuar në film.

Edhe pse shumica e vëzhguesve i dëshmojnë Zelenskyt se ka vërtet vullnet për t’i dhënë fund luftës, hapësira e veprimit e tij është i kufizuar. Përvoja e deritanishme tregon se Zelensky mund të arrijë sukses vetëm kur bashkëpunon edhe Putini, siç është rasti i shkëmbimit të të burgosurve në shtator. Ishte një shkëmbim i pabarabartë sepse Rusia liroi, ndër të tjera, detarët e Ukrainës, të cilët, sipas vendimit të një gjykate të OKB-së, duhej të ishin liruar gjithsesi.

Një pjesë e shoqërisë ukrainase ka frikë për një dorëzim gradual ndaj Rusisë dhe del në rrugë siç bëri para samitit të Parisit. Partitë e opozitës po përpiqen gjithashtu të krijojnë presion me protesta mbi Zelenskyn.

Po ta mbajë armëpushimi për të cilin u ra dakord në Paris, ky do të ishte suksesi më i madh i Zelenskyt. Shumë përpjekje të tilla tashmë kanë dështuar. Por pas kësaj, për presidentin ukrainas duhet të vijë momenti i së vërtetës. Ukraina u angazhua përsëri në Paris për të zbatuar aspektet politike të marrëveshjeve të Minskut. Një hap në këtë drejtim bëri të enjten Parlamenti duke e zgjatur edhe me një vit ligjin për statusin special për zonat separatiste. Një ligj i ri, së shpejti do të duhet të negociohet dhe miratohet me separatistët, gjë që shkakton shumë polemika në Ukrainë.

Përgatitja për zgjedhjet në zonat separatiste, të cilat Zelensky synon të mbahen në fund të tetorit 2020, ka të ngjarë të rrezikojë paqen tashmë të brishtë. Kur Poroshenko u përpoq në gusht 2015 të avanconte ndryshimet kushtetuese, para parlamentit në Kiev pati protesta të përgjakshme dhe vdiqën njerëz. /DW/