Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, një javë nuk e tha asnjë fjalë sa i përket veprimeve që do të ndërmarrë siç parashihen edhe në Kushtetutë pas dorëheqje së Ramush Haradinaj nga pozita e kryeministrit.
Për këtë javë, ndërkaq, i njëjti tha se do të thërrasë për konsultë të gjitha partitë politike, duke shtuar se do të diskutohet për gjetjen e një zgjidhjeje, por, që ai nuk përmendi asnjëherë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Nga Presidenca përmes një njoftimi për media, thanë se konsultat do të fillojnë këtë javë, mirëpo, te zyrat e presidentit janë shfaqur deri më tani vetëm subjektet minoritare.
Ai deri më tash ka takuar përfaqësuesit e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe ata të subjektit VAKAT nga Grupi Parlamentar 6 plus dhe partitë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, por nuk ka njoftime se kur mund të ketë takime me përfaqësuesit e tjetër të partive politike. Të njëjtëve nuk iu është dërguar as ftesë.
Partitë politike janë deklaruar ditë më parë për Express se te presidenti Hashim Thaçi do të paraqiten vetëm nëse thirren për të diskutuar për datën e zgjedhjeve, të gjitha po mohojnë se do të mundë të bëhen pjesë e ndonjë skenari të qeverisë teknike.
Zyra e Presidentit deri më tani nuk ka sqaruar se pse nuk iu është dërguar ende ftesë partive të mëdha, apo, se kur do të përcillen të njëjtat.
Ditë më parë presidenti i Kosovës është takuar me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakën, derisa, e njëjta deklaroi se me presidentin kanë diskutuar për afatet ligjore, kjo nëse zgjedhjet mbahen.
Partitë politike në anën tjetër kanë paralajmëruar se nëse presidenti nuk i përshpejton procedurat, do të shkojnë me shpërbërje të Kuvendit.
Njejtë u deklarua gjatë kësaj jave edhe kryeministri në largim Ramush Haradinaj.