Zhbogar: Përveç vetingut, ka edhe mënyra tjera për reforma në gjyqësor

12

Pas takimit me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, euroambasadori Samuel Zhbogar i është përgjigjur thirrjes së kryeministrit Zoran Zaev, që BE-ja të ndihmojë në procesin e reformave në gjyqësor. Ai tha se gjyqësori në RMV nuk është në gjendje shumë të keqe dhe se ka mënyra tjera që gjyqësori të përmirësohet, para se gjithash prej brenda dhe për momentin nuk sheh nevojë për veting të gjykatësve dhe prokurorëve.

“Pozita jonë për vetingun është e qartë. Mendoj se ne preferojmë që të shfytëzohen elemente tjera që të përmirësohet gjyqësori, i cili në fund të fundit dhe nuk është në situatë shumë të keqe në vend. Ka shumë mënyra që të përmirësohet gjyqësori. Gjithsesi ne mund të japim mbështetje, njëri ndër projektet është ndjekja e rasteve të korrupsionit të lartë në gjykata dhe atë do ta bëjmë vitin e ardhshëm dhe mendoj se ajo do të ndihmojë që të përmirësohet situata. Vetingu gjithmonë është opsioni i fundit dhe për veting duhet që të përmirësohen disa kushte, si konsensus nga të gjitha partitë politike. Për momentin nuk shohim nevojë për atë. Megjithatë vendimi është gjithmonë i vendit”, deklaroi Zhbogar pas takimit me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Sali Murati.

Zaev, më 1 dhjetor nëpërmjet një video ka thënë se gjyqësori ka mbetur fortesa e fundit e “shtetit të robëruar”, nën kontrollimin e një numrit të caktuar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në pozita të fuqishme. Ai e ftoi Komisionin për Antikorrupsion që të fillojë me procedurën e kontrollit të pronës së gjykatësve dhe prokurorëve dhe të konstatojë konflikte të interesave. Në tribunën e djeshme partiake “Në rrugë të drejtë”, ai përsëri e ka ftuar Antikorrupsionin, DAP-in, MPB-në dhe institucionet tjera që ta kontrollojnë prejardhjen e pronës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe të familjarëve të tyre.